Brukseli komenton zemërimin e Kryeministres britanike për Brexit

schedule12:15 - 1 Mars, 2018

schedule 12:15 - 1 Mars, 2018

Presidenti i Këshillit të Europian, Donald Tusk ka thënë se propozimet e fundit të BE-së për Breksit, vijnë si shkak i vijave të kuqe të vendosura nga Britania e Madhe. Në pritje të takimit të pasdites me kryeministren May, Tusk i kërkoi që të japë propozim më të mirë, lidhur me kufirin në Irlandën e Veriut.

Propozimi i Bashkimit Evropian për të krijuar një zonë të përbashkët rregullatore me Irlandën e Veriut, e refuzuar nga Theresa May sepse do të kërcënonte integritetin kushtetues të Mbretërisë së Bashkuar, është “një nga pasojat” e vijave të kuqe të vendosura nga qeveria e Londrës. Këtë e theksoi Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, në një fjalim në “Business Europe”, organizatë që bashkon shoqatat e industrialistëve të BE-së.

“Së fundmi Londra ka konfirmuar në mënyrë përfundimtare linjat e kuqe, përfshirë përgjigjen negative për unionin doganor dhe tregun e përbashkët. I njohim këto linja të kuqe pa entuziazëm, por duhet të negociojmë në mënyrë serioze”, është shprehur Tusk. “Një nga pasojat e mundshme të ‘hard Brexit’ është një pikë kufitare fizike në ishullin e Irlandës”, shton më tej ai duke bërë me dije se 27 vendet e Unionit do të pranojnë dhe aprovojnë të gjitha pikat thelbësore të prezantuara të mërkurën nga shefi negociator i BE për Brexit, Michael Barnier.

Ndërkohë, fjalimi i Tusk vjen përpara takimit që do të zhvillojë sot në Londër me kryeministren britanike Theresa May. Presidenti i Këshillit të Europës do t’i kërkojë shefes së qeverisë nëse ka ndonjë ide më të mirë, sa i përket kufirit në Irlandën e Veriut. Takimi mes tyre vjen pasi May e cilësoi të papranueshëm propozimin e BE për një dokument ligjor mbi marrëveshjen e largimit nga Unioni. Të premten kryeministrja britanike do të mbajë një fjalim sa i përket negociatave dhe pritshmërive lidhur me procesin “Brexit”. /abcnews.al