Brukseli “josh” Orban me 13 miliard euro, kërkon të bindë Budapestin për zgjerimin e fondit për Kievin

schedule14:49 - 3 Tetor, 2023

schedule 14:49 - 3 Tetor, 2023

BE-ja po bën gati 13 miliardë euro për të siguruar mbështetjen e njeriut të fortë të Hungarisë për të rritur buxhetin e BE-së, si dhe për të ofruar ndihmë të mëtejshme për Kievin.

Siç raportohet nga Financial Times, Komisioni po përgatitet të “shkrijë” miliarda euro në fondet europiane për Hungarinë, të cilat aktualisht mbeten të bllokuara për shkak të shqetësimit të fortë të Europës për sundimin e ligjit në vend, në një masë që mund të siguronte mbështetjen e Budapestit në forcimin e buxhetit të BE-së si dhe ndihma të konsiderueshme financiare për Ukrainën.

Lëshimi i fondeve, të cilat janë ngrirë që nga dhjetori i kaluar, do të shënonte një fitore për kryeministrin Viktor Orban, i cili është zotuar të mos pajtohet me asnjë rritje të buxhetit të BE-së derisa të rikthehet aksesi për Hungarinë.

Dhjetorin e kaluar, BE ngriu 22 miliardë euro nga fondet e BE-së të alokuara për Hungarinë pasi vendosi se ajo nuk ishte në përputhje me rregullat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Fondet e komunitetit janë krijuar për të ndihmuar vendet anëtare më pak të zhvilluara të bllokut 27-vendesh të mbyllin hendekun e investimeve dhe të përmirësojnë infrastrukturën e tyre, siç thekson botimi përkatës.

Hungaria miratoi reformat në sistemin gjyqësor në muajin maj, në përgjigje të kërkesave nga Brukseli – të cilat do të lejonin Komisionin të lirojë 13 miliardë euro, më shumë se gjysma e totalit të parave të premtuara, thanë zyrtarët në kushte anonimiteti.

Stefan de Keersmaecker, zëdhënësi i Komisionit, tha se Brukseli i kishte dërguar një letër qeverisë hungareze më 26 shtator duke kërkuar “sqarime” mbi disa detaje të reformave. Sipas tij sapo Hungaria t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, Komisioni do të vazhdojë vlerësimin e tij. Brukseli merr këtë masë pasi Kongresi Amerikan vendosi javën e kaluar të refuzojë miratimin e një ndihme financiare prej 6 miliardë dollarësh ndihmë për të ndihmuar të prekurit nga lufta në Ukrainë.

Komisioni Europian ka propozuar një rritje prej 66 miliardë eurosh për buxhetin e përbashkët të BE-së për të mbuluar shpenzimet e shtuara, një pjesë e të cilave do të kontribuojnë në një program mbështetjeje financiare prej 50 miliardë eurosh për Kievin për të përmbushur nevojat e tij për katër vitet e ardhshme.

Disa kryeqytete kanë kundërshtuar masën e rritjes së propozuar, duke përfshirë Berlinin. Megjithatë, forcimi i buxhetit të Komunitetit ka nevojë për mbështetjen e të gjithë “27” vendeve anëtare, të cilëve do t’u kërkohet të paguajnë kontribute shtesë nga buxhetet e tyre kombëtare.

Çdo vendim për lirimin e fondeve të BE-së të destinuara për Budapestin, ka të ngjarë të shkaktojë dënim nga Parlamenti Evropian, i cili ka bërë thirrje vazhdimisht për një linjë të ashpër kundër qeverisë Orban.

Megjithatë, Parlamenti Europian nuk ka autoritet zyrtar për të bllokuar pagesën e fondeve për kryeqytetet evropiane, por mund të vonojë një marrëveshje të mundshme për rritjen e buxhetit të Komunitetit.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!