Brukseli i Shqetësuar: “Qeveria britanike mund të bjerë para Krishtlindjeve”

schedule20:18 - 9 Nëntor, 2017

schedule 20:18 - 9 Nëntor, 2017

Qeveria britanike e kryeministres Tereza Mej mund të rrëzohet para Krishtlindjeve. Shqetësimi vjen nga qarqet e brendshme të Komisionit Europian. Mediat europiane shkruajnë se Brukseli është i shqetësuar se rënia e qeverisë Mej mund të ndryshojë krejtësisht linjën e ndjekur deri më tani nga Londra në negociatat e BREXIT-it me palën europiane.

Qeveria britanike rrezikon të bjerë përpara Krishtlindjeve. Është ky një shqetësim që vjen nga Brukseli, pasi kryeministrja Tereza Mej humbi një tjetër anëtar të kabinetit të saj mbrëmjen e të mërkurës, sekretaren për zhvillimet ndërkombëtare Priti Patel. Ajo dha dorëheqjen, pasi ishte vënë në qendër të kritikave për një takim të paautorizuar dhe të fshehtë me disa politikanë izraelitë. Largimi i saj, pason atë të pak ditëve më parë të sekretarit të mbrojtjes Majkëll Fallon, i përfshirë në skandalin seksual që tronditi Uestminsterin.

Kryeministrja Mej është po ashtu në presion të hapur për të larguar nga kabineti edhe sekretarin e jashtëm Boris Xhonson. Ai po përballet me kritika të ashpra nga opinioni publik, për shkak një deklarimi të rremë, që i rëndoi dënimin një shtetaseje britaniko-iraniane Nazanin Zagari Ratcliffe. Ish-punonjësja e shërbimeve të bamirësisë u arrestua në Iran, nën akuzën e spiunazhit. Por një deklaratë e pamenduar mirë e Xhonsonit, që tha se ajo kishte shkuar në Teheran për të dhënë leksione gazetarie, ç’ka nuk ishte e vërtetë, rëndoi dënimin e saj me 5 vite të tjera burg.

Komisioni Europian është i shqetësuar se të gjitha këto zhvillime mund të rrëzojnë qeverinë e brishtë të konservatorëve të Tereza Mejt, një qeveri minorancë që mbahet me votat e Partisë Unioniste Demokratike. Zërat që kërkojnë zgjedhje të reja pas skandaleve të shumta që kanë përfshirë ministrat britanikë, po shtohen si brenda koalicionit qeverisës, ashtu edhe nga partitë opozitare. Ndaj dhe zyrtarët e Brukselit po përgatiten për një ndryshim pushteti në Londër, ç’ka mund të rrëzojë atë çfarë është arritur deri tani dhe që pritet të arrihet në negociatat për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Sondazhet tregojnë se nëse zgjedhjet bëhen para vitit të ri, favoritë janë laburistët në opozitë, të cilët nëse fitojnë zgjedhjet mund të kërkojnë nisjen nga fillimi të negociatave, pasi shpesh herë kanë theksuar se nuk janë dakord për mënyrën se si i ka orientuar deri më tani negociatat me Brukselin, qeveria e kryeministres Mej./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!