Bashkimi Europian do të ketë një vendimmarrje të ndarë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas blogut europian “Bruksel2”, gjasat janë që drita jeshile të ndizet vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe jo për Shqipërinë.
Blogu i njohur europian Bruksel2 (B2) hedh dritë mbi të fshehtat e takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian me homologët e Ballkanit në Helsinki. Diplomatët europianë kanë treguar për këtë blog, se po shkohet drejt ndarjes së vendimmarrjes për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Diplomatët kanë shtjelluar, se nuk do të ketë më trajtim të përbashkët (në paketë) për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet.
“Do të privilegjojmë Maqedoninë e Veriut nëse nuk mund t’i hapim negociatat me të dyja vendet”, është shprehur një diplomat europian për B2.
Ndërkohë, që ky qëndrim është konfirmuar edhe nga burimet finlandeze dhe franceze. Këto të fundit janë shprehur, se nëse do të ketë një vend që do të hapë negociatat në Tetor, ai do jetë Shkupi.
Sipas shumë ministrave të jashtëm, Maqedona e Veriut e meriton këtë hap falë arritjes së marrëveshjes me Greqinë. B2 i referohet gjithashtu ministrave të jashtëm të Sllovenisë, Kroacisë, Rumanisë, Portugalisë dhe Danimarkës që favorizojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.
Por përpjekjet e palës shqiptare për përmbushjen e kritereve nuk konsiderohen të mjaftueshme nga të gjitha vendet. Sipas Bruksel2, ndarja në vendimmarrje do të zhgënjejë palën shqiptare, e cila përmes ministrit të jashtëm, Gent Cakaj ka shprehur bindjen se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave dhe se hapja e tyre është mëse e mundur./ABC News Albania 24/7