Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të takohen sot në Bruksel për të gjetur një përgjigje të përbashkët ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump në lidhje me aspiratat e tij për Groenlandën.
Ai duhej të vendoste një tarifë shtesë prej 10% për mallrat nga disa aleatë evropianë nga 1 shkurti, por dje ndryshoi mendje.
Trump kishte thënë se tetë vende evropiane do të përballeshin me tarifa më të larta derisa Shtetet e Bashkuara të siguronin atë që ai e përshkroi si “blerjen e plotë dhe totale” të Groenlandës së administruar nga Danimarka.
Dje, Trump tha se nuk do të përdorte forcën dhe hoqi dorë nga kërcënimi i tij për tarifa ndërsa përmendi një marrëveshje të paspecifikuar të NATO-s mbi ishullin Arktik.
Përpara samitit, disa zyrtarë theksuan se BE po përpiqej të zgjidhte situatën dhe se blloku do të merrte në konsideratë zbatimin e kundërmasave vetëm nëse tarifat e kërcënuara do të vendoseshin.
”Java e rrëmujës me Trump do të thotë se marrëdhëniet transatlantike janë në një udhëkryq”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përpara samitit.
”Evropa preferon dialogun dhe zgjidhjet, por ne jemi plotësisht të përgatitur të veprojmë, nëse është e nevojshme, me unitet, urgjencë dhe vendosmëri”, theksoi ajo.


