Për momentin këtë spektakël duhet ta shohë vetëm në ëndërr. Armando Broja jo vetëm që nuk mund të jetë ende pjesë e kombëtares së Shqipërisë, por edhe nuk mundet që të bëjë gjënë kryesore që i pëlqen, të luajë futboll.
Një mjek specialist, Doktor Raxhpal Brar, në një intervistë për media të lidhura me Evertonin, sqaron se dëmtimi I yllit kuqezi është serioz dhe se riaftësimi I tij paraqitet delikat.
Sipas specialistit të fizioterapisë në sport, ecuria e Brojës duhet të shihet hap pas hapi, në bazë të reagimit të trupit të tij.
I tillë dëmtimi në tendinin e Akilit, dhe Brar parashikon që sulmuesit do t’i duhen disa javë derisa të kthehet në stërvitje të plotë me skuadrën.
Sa është numri I këtyre javëve?
Këtë nuk mund ta thotë askush, por ndoshta që Broja të luajë një ndeshje futbolli do të duhet të presim janarin. Tek Evertoni e presin me padurim kthimin e tij, sepse trajneri Shon Dajs kërkon alternativa në sulm.
Shqiptari mund të pakësojë ngarkesën e yjeve të tjerë ofensivë dhe të shënojë gola, ndonëse shpresohet të jetë ai që ishte tek Sauthemptoni, sepse tek Çelsi dhe Fulhami nuk I përmbushi pritshmëritë.
Ndërkaq, ka qenë e qartë që më parë se Broja nuk do të mund të ishte në dispozicion të kombëtares për ndeshjet e nëntorit në Ligën e Kombeve.