Ardhja e teknikut Mauricio Pochettino supozohej se do të ndryshonte lojën te “blutë” e Chelsea, mirëpo këta të fundit kanë arritur të sigurojnë vetëm 5 pikë në 5 javët e para të Premier League dhe faji për këtë nuk është vetëm te trajneri.
Londinezët prej kohësh vuajnë mungesa të shumta, sidomos në repartin e sulmit dhe atë të prapavijës me lojtarë si Armando Broja, Christopher Nkunku, Noni Madueke, Ëesley Fofana, Badiashile e Reece James, që kanë mbetur jashtë grupit pas dëmtimeve të pësuara, megjithatë njëri prej tyre pritet të zbresë në fushën e blertë që në këtë javë.
Bëhet fjalë për “legjionarin” e Kombëtares sonë, Armando Broja, i cili këtë javë pritet të rikthehet në fushë pas dëmtimit që pësoi dhjetorin e shkuar në sfidën miqësore ndaj skuadrës së Aston Villa.
“Bomberi” nga Malësia e Madhe do të luajë në sfidën e skuadërs U-21 të Chelsesa, të cilët këtë të premte do të përballen me skuadrën U-21 të Manchester City, sfidë e cila do të ketë dhe një tifoz special në tribunë, teknikun Sylvinho, i cili dëshiron të ketë Brojnë në formacion për ndeshjen me Çekinë.
Tekniku brazilian pritet të niset drejt Londrës aty ku do të ketë një takim me stafin mjekësor të Chelsea, për të “vulosur” përfundimisht nëse “bomberi” shqiptar ka shanse të zbresë në fushën e “Air Albania” më 12 tetor ndaj Republikës Çeke ose jo. /i.m /abcnews.al