Rron Broja, mesfushori i Partizanit është i ftuar në emisionin Pressing në ABC për të folur rreth ecurisë së skuadrës së tij dhe për rivalët kryesorë të të kuqve sivjet, Vllazninë, apo edhe Laçin e Teutën. “Gjatë kësaj pjese të kampionatit Vllaznia është me meritë dhe jo rastësisht në vend të parë.
Ka bërë lojë shumë të mirë dhe ka lojtarë cilësorë. Ka ende lojë, të shohim. Ne jemi ndjekësit më të afërt bashkë me Laçin e Teutën. Mendoj se kemi shanse ta arrijmë Vllazninë. Nëse atyre u rrëshqet edhe një herë këmba bëhet kampionat edhe më i fortë.
Ne do bëjmë maksimumin, do jemi të qetë dhe do i bëjmë sa më shumë presion Vllaznisë. Në merkaton e janarit klubi ka afruar lojtarë me shumë kualitet dhe besoj se do e rrisin shumë cilësinë dhe kjo shihet edhe në stërvitje dhe në ndeshjet e ardhshme do na ndihmojnë shumë”.
“Kemi një grup mjaft të mirë, kemi frymë të mirë në ekip. Besoj se çdo ditë e më shumë po përmirësohemi. Jemi më agresivë tani. Në ndeshjet në vazhdim do ta rritim, pasi ndeshjet do të jenë më të vështira. Çdo gjë po shkon perfekt, shpresoj të shkojë kështu”, tha ndër të tjera Broja. /abcnews.al