Mund të kthehet aty ku shkëlqeu fort.
Southampton është një alternativë serioze për Armando Brojën, të paktën sipas zhurmave të transferimeve në mediat britanike, ku edhe pse Chelsea kërkon 35 milionë paundë për kartonin e tij, një shifër tepër e lartë për një lojtar që ka luajtur pak, sërish “Shenjtorët” shpresojnë të arrijnë një marrëveshje.
Padyshim që “Blutë e Londrës” do t’i ulin pretendimet, ndonëse nuk dihet se kur palët do të bien dakord dhe deri më tani e sigurt është që trajneri i ri, Enzo Maresca, nuk e ka sulmuesin 22-vjeçar në planet e tij, ndonëse ai ka kontratë deri në 2028.
Besohet se palët mund të bien dakord për një tjetër huazim, ose edhe për një transferim me vlerë rreth 22 milionë euro.
Broja luajti tek Southamptoni në sezonin 2020-2021, duke qenë thuajse gjithmonë titullar, e duke shënuar gjithsej 9 gola. Klubi u përpoq ta mbante, por Armando deshi të provonte fatin te Chelsea.
Të interesuar vijojnë të mbeten edhe “Blutë” e Everton.
Trajneri Sean Dyche mund të ketë shanse për të shpenzuar, sepse klubi pritet të blihet nga amerikanët e Friedkin Group, ish-pronarët e Roma në Serie A.
Tekniku anglez e vlerëson potencialin e sulmuesit kuqezi, dhe gjithashtu shpreson që të arrijë një akord të favorshëm me Chelsea, megjithatë për momentin, Broja është kthyer te “Blutë e Londrës” dhe po stërvitet me ekipin, në pritje që të mësojë fatin e tij. /i.m /abcnews.al