Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, u shpreh se ministri i Jashtëm serb Daçiç, nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë serbe, për sa i përket mundësisë së bashkimit të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën.
Qeveria serbe është distancuar nga qëndrimi i ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, i cili e konsideroi idenë për bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën, si pengesë për dialogun mes dy vendeve. Ana Brnabiç, kryeministrja e Serbisë u shpreh se deklaratat e Daçiç përfaqësojnë qëndrimin e tij personal dhe jo pozicionin e Qeverisë së Serbisë. Ajo shtoi se shprehja e mendimeve personale nuk e shqetëson qeverinë e cila sipas saj, nuk ka ende një qëndrim zyrtar. Por nëse do të ketë propozime konkrete qëndrimi i qeverisë do të bëhet menjëherë publik.
Brnabiç theksoi se Beogradi mirëpret çdo propozim që i sjell përfitime Serbisë dhe nuk e nxjerr atë të humbur. Edhe pse ajo shtoi se nuk mendonte se zgjidhja është afër, por presidenti Vuçiç po e sheh problemin nga të gjitha këndet për të gjetur diçka që Serbisë mund t’i sjellë diçka, të humbasë sa më pak dhe të marrë sa më shumë nga ajo që mund të merret. Vetë Daçiç në deklaratat e ditëve të fundit ka pranuar se mbështet ndarjen e Kosovës, duke pohuar se ky është vetëm një qëndrim i tij personal./abcnews.al