Britney Spears i është drejtuar gjykatës, për t’i dhënë fund kontrollit të rreptë të babait mbi jetën dhe karrierën e saj, të cilën e ka ushtruar për më shumë se një dekadë. Siç raportojnë mediat e huaja, këngëtarja e muzikës pop po kërkon të largojë përgjithmonë të atin, James Spears si kujdestarin e saj mbi vendimmarrjen personale dhe financiare si dhe atë të kujdesit shëndetësor.
Atij iu caktua roli për të mbikëqyrur financat e së bijës në vitin 2008, pasi Spears shfaqi probleme të shëndetit mendor. Jamie u tërhoq përkohësisht vitin e kaluar për shkak të problemeve shëndetësore, por roli u mor përsipër nga një kujdestarje e pavarur profesioniste, Jodi Montgomery, shkruan abcnews.al.
Britney dëshiron që Montgomery, që ka marrë kujdestarinë e përkohshme, të marrë rolin e përhershëm, por ajo nuk dëshiron t’i japë fund marrëdhënies tërësisht, sikurse kanë kërkuar fansat e saj me lëvizjen #FreeBritney në rrjete sociale. Fansat kanë kundërshtuar angazhimin e kujdestarëve, të cilët akuzojnë Jamie dhe të tjerët që kontrollojnë tepër jetën e Spears, madje edhe duke vjedhur prej saj.
Avokati i Spears, Samuel D Ingham III, thotë se kushtet e kujdestarisë duhet të ndryshohen në mënyrë thelbësore në mënyrë që të pasqyrojnë ndryshimet kryesore në stilin e jetës aktuale të këngëtares dhe dëshirat e saj të deklaruara, duke propozuar që Montgomery të marrë kontrollin e përhershëm. /abcnews.al/