Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë së paku 4.6 milionë euro në vit në mënyrë që të shqiptarët të cilët ndodhen në qelitë e Mbretërisë së Bashkuar të shlyejnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre në vendin tonë. Kjo në zbatim të një marrëveshjeje mes dy qeverive që është konkretizuar këtë javë.
Detajet e dokumentit zyrtar të marrëveshjes janë publikuar nga media britanike “The Telegraph”, sipas të cilit, është parashikuar që fillimisht 200 të dënuar të transferohen drejt burgjeve në Shqipëri.Mes të burgosurve që pritet të vijnë nga Britania, 17 prej tyre janë të dënuar me burgim të përjetshëm.
Anglia merr përsipër që të kompensojë shtetin shqiptar për çdo ditë që të burgosurit do të rrinë në qelitë tona, dhe tarifa e dakrodësuar për një ditë qëndrimi në burg është 36.5 euro. Sipas marrëveshjes qeveria britanike do t’i japë Shqipërisë edhe 5 milionë euro për Drejtorinë e Burgjeve, për të ndihmuar të përmirësojnë logjistikën, sigurinë apo për të trajnuar gardianët.
The Telegraph shkruan se Qeveria Britanike ka kërkuar garanci se të drejtat e njeriut të të burgosurve shqiptarë do të mbrohen. Një grup pune do të ngrihet për të monitoruar dhe parandaluar keqtrajtimin e të burgosurve. Sipas marrëveshjes qeveria shqiptare do përpilojë raporte vjetore për gjendjen e të burgosurve dhe për kushtet e tyre ndërsa qeveria britanike ka të drejtë të inspektojë burgjet.
Për çdo të burgosur që do të pranojë që të vuajë pjesën e mbetur të dënimit e tij në burgjet e Shqipërisë, parashikohen edhe disa benefite që përfshijnë uljen me një vit të dënimit si dhe grante prej 1500 paunësh nëse ta pranojnë të deporohen dhe të mos kthehen më në Mbretërinë e Bashkuar.
Largimi i të burgosurve shqiptarë do të ndihmojë në zbutjen e krizës për mbipopullimin e burgjeve britanike por do të kursejë në të njëjtën kohë edhe paratë e taksapaguesve britanikë./abcnews.al