Britania: Mund të kemi marrëveshje me BE-në për Brexit brenda Tetorit

schedule16:54 - 22 Korrik, 2018

schedule 16:54 - 22 Korrik, 2018

Qeveria britanike shprehet optimiste dhe njofton se deri në Tetor mund të arrijë një marrëveshje të kënaqshme me Bashkimin Europian për Brexit. Megjithatë tregon se është në gatishmëri edhe plani tjetër nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Një marrëveshje me Bashkimin Europian mund të arrihet deri në Tetor, por Britania e Madhe po përgatitet për mundësinë e një rezultati pa marrëveshje. Kështu u shpreh sekretari i ri i Brexit, Dominic Raab. Ai tha se do të kthehej në Bruksel për bisedime të enjten dhe do të jepte “çdo sinjal” për të marrë “marrëveshjen më të mirë”.

“Por një qeveri përgjegjëse përgatit plane mbrojtëse në rast se bisedimet nuk përfundojnë mirë”, nënvizoi si për BBC.

Laburistët pretendojnë se një skenar pa marrëveshje do të ishte “katastrofik” për biznesin.

Raab vuri në dukje se 80% e marrëveshjes së largimit nga BE tashmë është zgjidhur. Ai tha se ishte “e dobishme” që negociatori i BE-së për Brexit Michel Barnier kishte ngritur pyetje rreth propozimit të kryeministres për marrëdhëniet tregtare të ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me Unionin.

Ministri britanik njoftoi se janë duke u bërë përgatitje të tilla si punësimi i stafit shtesë kufitar, sepse “çdo qeveri e përgjegjshme” do të siguronte që planet të ishin parapërgatitur “në rast se negociatat nuk arrijnë një rezultat pozitiv”.

“Mendoj se njerëzit duhet të dinë se ne jemi gati dhe që Britania mund të lulëzojë, çfarëdo që të ndodhë”, tha ai.

Njoftime teknike do të lëshohen për bizneset dhe qytetarët e prekur nga ndryshimet, në mënyrë që të jenë “shumë të qartë për atë që duhet të bëjnë dhe çfarë po bëjmë në emër të tyre”, shtoi Raab./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!