Britania mes lehtësimit të kufizimeve dhe drojës nga varianti i ri i virusit

schedule18:10 - 16 Maj, 2021

schedule 18:10 - 16 Maj, 2021

Në Britani, Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock tha të dielën se varianti koronavirusit, i cili u shfaq fillimisht në Indi, po bëhej lloji dominues në disa pjesë të vendit. Por ai tha se qeveria do të vazhdojë të zbusë kufizimet duke filluar nga e hëna.

Duke folur për kanalin televiziv britanik Sky News të dielën, zyrtari më i lartë britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, tha se të dhënat nga Universiteti i Oksfordit tregojnë një shkallë të lartë besimi se programi i vaksinimit do të funksionojë kundër variantit të ri.

“Do të thotë se mund të vazhdojmë strategjinë tonë dhe të përdorim vaksinën për të trajtuar situatën e pandemisë. Do të thotë hapje e kujdesshme dhe njëkohësisht të jemi vigjilent lidhur me përhapjen e infektimeve”.

Zoti Hancock u bëri thirrje britanikëve që të vaksinohen, duke shtuar se varianti i ri e ka bërë virusin më ngjitës. Ai shprehu besimin se vaksina do të bëjë të mundur tejkalimin e situatës së krijuar nga varianti i ri i koronavirusit.

“Është një garë mes programit të vaksinimit dhe virusit. Varianti i ri i e ka bërë virusin më ngjitës. Por vaksinimi do të ofrojë një shkallë më të lartë besimi për tejkalimin e situatës”.

Britania po dërgon zyrtarë të shëndetit publik, të mbështetur nga ushtria, për të shpërndarë derë më derë teste të koronavirusit në dy qytete të Anglisë veriore, në një përpjekje për të frenuar një variant të virusit që besohet se po përhapet me shpejtësi dhe që po kërcënon planet për zbutjen e masave kufizuese në vend./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!