Britania ka përsëritur shqetësimin për rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme, derisa sekretari britanik i jashtëm, David Lammy dhe sekretari i mbrojtjes, John Healey, John Healey, kanë udhëtuar në rajon për të bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe për de-përshkallëzim në rajonin më të gjerë.
Në vizitën e tyre të parë të përbashkët në Gjirin Persik, Lammy dhe Healey në kryeqytetin Doha takuan kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, me synimin për të avancuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza.
Sipas njoftimit të Zyrës së Jashtme, dy sekretarët britanik do të takohen me personelin e Mbretërisë së Bashkuar që punon në rajon dhe do të angazhohen për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Katarit për zhvillim dhe siguri.
“Përshkallëzimi dhe destabilizimi nuk janë në interesin e askujt. Është absolutisht jetike që ne të angazhohemi ngushtë me partnerë si Katari, të cilët luajnë një rol kyç në ndërmjetësimin e konfliktit në Gaza, në mënyrë që të mund t’i japim fund kësaj lufte shkatërruese”, tha Lammy.
Lammy dhe Healey gjithashtu do të përsërisin mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Katarin për rolin e vendit, duke përfshirë përpjekjet për të ofruar një armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Healey, nga ana e tij, tha se de-përshkallëzimi duhet të jetë fokusi kryesor pasi “ky rajon ndodhen në një udhëkryq”.
“Humbja e jetëve të pafajshme në javët dhe muajt e fundit është e padurueshme. Kjo duhet të marrë fund. Të gjitha palët duhet të tërhiqen nga konflikti dhe të rrisin diplomacinë”, tha Healey, duke shtuar se ata do të punojnë me partnerë si Katari për një nxitje për paqen.
Tensioni është përshkallëzuar mes Hezbollahut dhe Izraelit pas një sulmi me raketa në qytetin Druze në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli të shtunën. Derisa Izraeli fajësoi Hezbollahun për sulmin e së shtunës, grupi libanez mohoi çdo përgjegjësi.
Dje, ushtria izraelite goditi Bejrutin jugor për të shënjestruar një komandant të lartë të Hezbollahut. Sot herët, grupi palestinez Hamas njoftoi se lideri i grupit, Ismail Haniyeh, u vra në një sulm ajror izraelit në kryeqytetin iranian Teheran. Izraeli ende nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij në sulmin ku u vra shefi i Hamasit.