Rënia e mbështetjes për Konservatorët në Britaninë e Madhe ka bërë që në radhët e partisë të rritet presioni për largimin e kryeministres Theresa Mej. Një sondazh i fundit e rendit subjektin e udhëhequr nga kryetarja e qeverisë të fundit mes 5 partive politike.
Partia Konservatore e kryeministres britanike Theresa Mej ka rënë në vendin e pestë në një sondazh, të mbajtur në një kohë kur zgjedhjet euro-parlamentare po afrojnë dhe kur presioni ndaj saj për të braktisur postin po rritet. Konkretisht, sondazhi i përgatitur nga grupi “Ju Gov” për llogari të gazetës “Tajms” i jep subjektit të kryetares së qeverisë vetëm 10 për qind të mbështetjes, ndërsa rendit në vendin e parë partinë Breksit të Najxhel Farazh, me 34 për qind të mbështetjes. Ndërkohë, partia Laburiste në opozitë ka marrë vetëm 16 për qind, e ndjekur nga Liberal Demokratët dhe të Gjelbërit, që mbështesin qëndrimin në BE, me nga 15 dhe 11 për qind. Rënia e mbështetjes për konservatorët po bën që të rritet presioni ndaj kryeministres Mej, që ajo të caktojë një datë për largimin e saj. Figurat e hershme të partisë kërkojnë që Mej të prezantojë planet e saj për të ardhmen e Breksit që këtë javë, gjë që sipas analistëve britanikë ka pak gjasa të realizohet. Kur janë bërë thuajse 3 vjet që kur Mbretëria e Bashkuar votoi me 52 për qind pro largimit nga Bashkimi Europian, mes ligjvënësve britanikë nuk ka ende një marrëveshje për kur dhe si divorci me Brukselin duhet të ndodhë. /ABC news Albania 24/7