Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Britani, pezullohet Parlamenti

schedule17:50 - 28 Gusht, 2019

schedule 17:50 - 28 Gusht, 2019

Parlamenti në Britaninë e Madhe do të pezullohet muajin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një lëvizje të kryeministrit Boris Xhonson pak kohë përpara Breksit dhe që është aprovuar nga mbretëresha. Lëvizja është kundërshtuar nga opozita, e cila akuzon kryeministrin se po përgatit një dalje pa marrëveshje nga BE-ja.

Parlamenti në Mbretërinë e Bashkuar do të pezullohet në fillim të shtatorit, vetëm pak ditë pasi ligjvënësit britanikë të rikthehen në punë dhe vetëm pak javë përpara afatit të Breksit. Kryeministri Boris Xhonson deklaroi se do të jetë mbretëresha ajo që do të sqarojë gjithçka me një fjalim që do të mbajë më 14 tetor, për të parashtruar axhendën e tij. Por njëkohësisht kjo do të thotë se ligjvënësve do t’u hiqet mundësia që të aprovojnë një ligj për të parandaluar një dalje pa marrëveshje nga BE-ja më 31 tetor. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Berkou e cilësoi lëvizjen një “mëpërkëmbje kushtetuese”.

“Është mëse e qartë se qëllimi i pezullimit të Parlamentit është bllokimi i debatit mbi kursin që do të ndjekë vendi ynë”, deklaroi Berkou.

Ndërsa lideri i laburistëve, Xheremi Korbin tha se pezullimi i Parlamentit është i papranueshëm. “Ajo çfarë po bën kryeministri është një goditje e rëndë ndaj kushtetutës dhe demokracisë për të imponuar një dalje pa marrëveshje nga BE-ja”, tha Korbin.

Ai shtoi se kur ligjvënësit të kthehen në Dhomën e Përfaqësuesve të martën e ardhshme, gjëja e parë që do të bëjnë do të jetë përpjekja për miratimin e ligjit që parandalon daljen pa marrëveshje dhe pse jo edhe një mocion ndaj kryeministrit.

“Kryeministri ynë duhet të mbajë përgjegjësi përpara Parlamentit”, shtoi Korbin. Por Xhonson nga ana e tij insistoi se, zërat se pezullimi i Parlamentit është i motivuar nga dëshira për një Breksit pa marrëveshje nuk janë të vërteta. Ai tha se nuk dëshiron të presë deri pas Breksit që të realizojë planet e tij për të çuar vendin përpara. “Neve na duhet një legjislaturë e re për të çuar përpara projekte të reja dhe të rëndësishme”, shtoi Xhonson. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!