Një tjetër anëtar i qeverisë britanike ka dhënë dorëheqjen për shkak të marrëveshjes së Breksit të negociuar nga kryeministrja Thereza Mej. Duke njoftuar vendimin e tij, ish-ministri i Arsimit dhe Shkencës ka deklaruar se akordi i Mej do të dëmtojë interesat kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.
Një tjetër ministër ka braktisur kabinetin e Thereza Mej për shkak të marrëveshjes së Breksit. Bëhet fjalë për ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Sem Gimah, i cili e ka marrë vendimin e tij për shkak të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga sistemi satelitor i qarkullimit, Galileo. Britania e Madhe kishte deklaruar se do të vazhdonte të qëndronte në sistemin në fjalë pavarësisht daljes nga BE-ja, por Unioni insistoi se pas largimit nuk do të kishte më akses. Për ministrin Gimah, dalja nga sistemi Galileo ishte pasojë e parë e “negociatave brutale” për marrëveshjen e Breksit dhe sipas tij të tjera do të vijnë. Gimah është ministri i dhjetë që dorëhiqet për shkak të marrëveshjes, e cila sipas tij vetëm emrin ka të tillë, por nuk është një akord i mirëfilltë. Ai tha se do të votojë kundër paktit të negociuar nga kryeministrja Mej me Brukselin dhe bëri thirrje për një referendum të dytë. “Interesat e Mbretërisë së Bashkuar do të dëmtohen sistematikisht nga Bashkimi Europian për shumë vite në vazhdim”, komentoi Gimah në një postim në Facebook. Galileo është versioni europian i sistemit amerikan GPS (XHI PI ES), që përdoret nga miliona njerëz në mbarë botën dhe do të përdoret së shpejti edhe nga qeveritë, ushtritë dhe bizneset e Bashkimit Europian. Brukseli ka deklaruar se si pasojë e Breksit, Mbretërisë së Bashkuar nuk do t’i ofrohet akses imediat kur sistemi të hyjë online në vitin 2020. Por për qeverinë e Londrës, që ka investuar 1.4 miliard euro për projektin, aksesi është jetik për operacionet ushtarake dhe sigurinë kombëtare. /abcnews.al