Stefen Berklej është konfirmuar si ministri i ri i Brexit në kabinetin e kryeministres Thereza Mej, që po përpiqet të plotësojë vakancat. Berklej, deri më sot ministër për Shëndetësinë dhe Kujdesin Social, zëvendëson në këtë detyrë Dominik Reb, që dha dorëheqjen një ditë më parë, në një nga momentet kulmore për marrëveshjen e Breksit.
Sipas BBC, ministri i ri do të fokusohet në çështjet e brendshme të operacionit të daljes nga Bashkimi Europian dhe jo në negociatat me Brukselin. Më herët gjatë së premtes, Amber Rud u emërua ministre e Punës dhe Pensioneve, duke zëvendësuar Ester Mek Vej, që një ditë më parë dha dorëheqjen po për shkak të Breksit.
Ndërkohë, qeveria ka njoftuar edhe zëvendësimin e dy ministrave të rinj, që po ashtu u tërhoqën për shkak të përplasjeve me kryeministren Mej lidhur me marrëveshjen e negociuar me BE-në./abcnews.al