Britani, hetim mediave ruse/ Reagon Moska: Re të zeza mbi BBC

schedule22:15 - 18 Prill, 2018

schedule 22:15 - 18 Prill, 2018

Lufta diplomatike mes Britanisë dhe Rusisë që nisi pas helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal ka zbritur në kampin mediatik. Autoritetet në Londër kanë paralajmëruar se do t’i heqin liçencën televizionit rus RT. Nga ana e saj, Moska ka kërcënuar me dëbimin e degës së BBC.

Enti rregullator i mediave në Britani ka hapur shtatë procese hetimore ndaj kanalit televiziv rus RT, me argumentin se ka konstatuar shkelje të parimit të paanshmërisë që prej helmimit të ish-agjentit Sergei Skripal, muajin e kaluar. Pak pasi kryeministrja britanike Theresa May akuzoi Rusinë se ishte mbrapa helmimit, zyra e Ofcom paralajmëroi televizionin RT se mund të humbasë liçencën për të operuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi nuk përmbush dot kriteret. “Që nga ngjarjet në Salisburi, ne kemi parë një rritje të ndjeshme të programeve të televizionit rus, që sugjerojnë shkeljen e kodit të transmetimit”, ka deklaruar Ofcom. Enti akuzon median ruse se përveç manipulimit të rastit “Skripal” ka transmetuar lajme të njëanshme edhe sa i takon çështjes siriane. Nga ana tjetër, Moska ka paralajmëruar se çdo operator mediatik në Rusi do të mbyllet dhe dëbohet nga vendi nëse Londra bllokon transmetimet e RT, të nisura në vitin 2005 me financim të shtetit rus. “Re të zeza po mblidhen mbi BBC”, ka deklaruar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova për agjencinë Interfax, pas njoftimit të autoritetit mediatik britanik. Helmimi i ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe së bijës Julia më 4 mars në Salisburi ka acaruar marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë. Përplasja çoi në dëbimin më të madh të diplomatëve rusë nga Londra, veprim ky që u pasua nga një masë reciproke e qeverisë në Moskë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!