Britani, goditje e rëndë për qeverinë May/ Dorëhiqet ministri për BREXIT

schedule10:37 - 9 Korrik, 2018

schedule 10:37 - 9 Korrik, 2018

Sekretari britanik per Brexit ka dhënë dorëheqjen. David Davis e mori këtë vendim pasi kryeministrja Mej urdhëroi një negociim më të butë me Brukselin.

Goditje e rëndë për qeverinë britanike të Tereza Mej: Ministri i Brexit, David Davis, elementi kyç i ekipit, njoftoi dorëheqjen e tij në polemika me kthesën drejt një negociimi më të butë me BE të njoftuar nga Kryeministrja. Davis, një eksponent kryesor i partisë Konservatore aktuale euroskeptike, ka vendosur të mos pranojë strategjinë e re më pajtuese ndaj Brukselit që Mej ka vendosur të premten në Këshillin e Ministrave.

69-vjeçari Davis, deri më tani përgjegjës i qeverisë britanike për negociatat e divorcit me BE, kishte nënshkruar të premten, si të gjithë ministrat e tjerë, kompromisin e propozuar nga Tereza Mej për t’u përpjekur të zhbllokojë negociatat me Brukselin: kompromis i padëshirueshëm nga kampi pro “Brexit”, i konsideruar nga disa si “tradhëti” ndaj rezultatit të referendumit 2016 dhe i shënuar nga një hapje mbi hipotezën e krijimit të një zone të tregtisë së lirë pas Brexit, me rregulla të përbashkëta, të paktën për mallrat industriale dhe bujqësore, si dhe përkufizimin e marrëveshjeve të reja doganore me BE.

Duke parë këtë situatë analistë të shumtë mendojnë se shumë shpejt Mej mund të hasë me një kundërshtim të fortë brenda partisë Konservatore. Dorëheqja e Davis mund të shkaktojë një efekt domino për qeverinë britanike, pasi edhe ministri i jashtëm Boris Xhonson mund të ndjekë këtë shembull. Analistët shkojnë deri aty sa parashikojnë zgjedhje të parakohëshme. Ndërsa opozita e kryesuar nga partia Laburiste e Xheremi Korbin, kërkon të përfitojë nga kjo situatë. Kjo forcë politike me arsyetimin se tek Konservatorët ka kaos, kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të reja brenda pak muajsh. Ndërkohë, duke parë situatën, krahu i atyre që mbështesin qëndrimin e Britanisë në BE shpresojnë për një referendum të dytë, ku pretendojnë se qytetarët do të mbështesin Mbretërinë e Bashkuar pjesë të Unionit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!