Britani, diplomatët rusë largohen nga Londra

schedule18:38 - 20 Mars, 2018

schedule 18:38 - 20 Mars, 2018

Diplomatët rusë të sanksionuar nga qeveria britanike kanë lënë këtë të martë Londrën, bashkë me familjet e tyre. E marta ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga kryeministrja May, si reagim ndaj helmimit të ish-agjentit sekret rus, Sergei Skripal.

 

Diplomatët rusë dhe familjet e tyre janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar, pas urdhërit të dëbimit të dhënë nga qeveria britanike. Automjetet diplomatike udhëtuan nga ambasada ruse në Londër për në aeroportin Stenstid, ku u imbarkuan për në Moskë. Largimi i 23 diplomatëve vjen pasi kryeministrja britanike Theresa May fajësoi Rusinë për helmimin e ish-kolonelit të shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal dhe së bijës në Salisburi. Nga ana e saj, Moska i ka hedhur poshtë akuzat dhe është përgjigjur duke dëbuar 23 diplomatë britanikë. Këta të fundit kanë kohë deri të shtunën për të lënë Rusinë. Kremlini ka vendosur gjithashtu mbylljen e Këshillit Britanik në Rusi, institucion që promovon lidhjet kulturore mes dy vendeve, si dhe konsullatën britanike në Shën Pietërburg. Ambasada ruse në Londër ka njoftuar ndërkohë se rreth 80 persona, përfshirë oficerët e shërbimeve inteligjente dhe familjet e tyre, lanë Londrën këtë të martë, në bazë të afatit të vendosur nga kryeministrja May. Një turmë e vogël e mbledhur jashtë selisë diplomatike përshëndeti njerëzit që kishin me vete valixhe, fëmijët dhe kafshët shtëpiake./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!