Britani, dështon për herë të dytë marrëveshja e Brexit

schedule23:52 - 12 Mars, 2019

schedule 23:52 - 12 Mars, 2019

Ligjvënësit britanikë kanë hedhur poshtë për herë të dytë marrëveshjen e kryeministres Mej për Breksit. Në fjalimin e mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve, Mej nuk arriti t’i bindte grupet parlamentare për koncensionet e minutës së fundit që kishte siguruar nga Brukseli.

Marrëveshja e kryeministres Theresa Mej për daljen nga BE-ja është hedhur poshtë për herë të dytë nga ligjvënësit britanikë, duke futur në kaos dhe pasiguri strategjinë e saj të Breksit. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan me 391 vota kundër dhe 242 vota pro, duke i shkaktuar shefes së qeverisë një humbje edhe më të thellë se votimi i janarit. Mej ka deklaruar pas votimit se tashmë ligjvënësve do t’u jepet mundësia të votojnë nëse Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje më 29 mars dhe, në rast dështimi, një votim për të vendosur nëse Breksit duhet të shtyhet. Mej ka thënë gjithashtu se Britanisë do t’i duhet të sqarojë me detaje Unionin Europian se për çfarë do të shërbejë çdo shtyrje e mëtejshme e procesit. Partia e Unionit Demokrat të Irlandës së Veriut, që mban në këmbë qeverinë, votoi kundër marrëveshjes bashkë me deputetët e thjeshtë konservatorë që mbështesin Breksit. Vota kundër u paralajmërua gjatë debateve që i paraprinë votimit edhe nga lideri i opozitës Xheremi Korbin dhe grupet parlamentare euro-skeptike. Për Korbin, pas dështimit, kryeministrja duhet të organizojë zgjedhje të përgjithshme. Më herët para votimit, kryeministrja paralajmëroi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve se, nëse nuk mbështesnin marrëveshjen e saj të përmirësuar do të vinin në rrezik realizimin e Breksit. Por ajo nuk arriti t’i bindte ata se konçesionet e minutës së fundit që kishte përfituar nga BE-ja ishin ato çka ata kishin kërkuar pas rrëzimit të marrëveshjes në janar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!