Britani, Boris Johnson fiton raundin e parë të garës

schedule22:12 - 13 Qershor, 2019

schedule 22:12 - 13 Qershor, 2019

Një nga figurat kryesore të promovimit të Breksit, ish-ministri i Jashtëm Boris Johnson ka gjasa të jetë kryeministri i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar. Në raundin e parë të votimeve për zëvendësimin e ish-kryeministres Theresa May, Johnson ka siguruar shumicën e votave.

Boris Johnson ka siguruar numrin më të lartë të votave në raundin e parë për zgjedhjen e kryetarit të ri të konservatorëve dhe rrjedhimisht kryeministrit të ri të Mbretërisë së Bashkuar.

Tre konkurrentë, Mark Harper, Andrea Lidsom dhe Ester McVey kanë rezultuar të fundit në votimin e fshehtë të mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve. Konkretisht, Johnson mori 114 vota, duke lënë pas ministrin e Jashtëm Jeremy Hunt me 43 dhe atë të Mjedisit, Michael Gov, të tretin me 37 vota. Shtatë kandidatët e mbetur pritet të bëjnë progres deri në raundin e ardhshëm të votimit që mbahet javën tjetër.

Dy ligjvënësit më popullorë do të votohen më pas nga deputetët konservatorë në votimin final që do të mbahet më vonë gjatë muajit. Fituesi i kontestit, që do të pasojë kryeministren e dorëhequr Theresa May, do të shpallet më 22 korrik.

Në raundin e parë votuan të 313 anëtarët e Parlamentit britanik. Duke reaguar, Johnson u shpreh i kënaqur për fitoren, por shtoi se ka ende shumë punë për të bërë. Johnson, ish-kryetar i Bashkisë së Londrës dhe ish-ministër i Jashtëm, i ka kaluar javët e fundit duke u përpjekur të joshë ligjvënësit konservatorë dhe njëkohësisht duke mbajtur një profil të ulët, ndryshe nga ekspozimi i mëparshëm në favor të Brexit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!