Në radhët e opozitës britanike kanë filluar përçarjet në lidhje me Breksit. 7 deputetë mbështetës të një referendumi të dytë mbi daljen nga BE kanë lënë laburistët për të dalë si të pavarur.
Shtatë deputetë të Parlamentit britanik kanë braktisur partinë laburiste ku militonin, në shenjë proteste ndaj qasjes së saj ndaj Breksit. Ligjvënësit kanë deklaruar se nuk do të formojnë një parti të re, por do të qëndrojnë në Parlament si të pavarur. Konkretisht ata kundërshtojnë manovrat e liderit laburist Xheremi Korbin, që nga ana e tij është shprehur i zhgënjyer nga lëvizja e 7 deputetëve. Lusiana Berger, Kris Lesli, Anxhela Smith, Majk Gejps, Gevin Shuker, En Kofej dhe Çuka Umuna refuzuan të vazhdonin punën për atë për të cilën miliona britanikë votuan në referendum – ka thënë Korbin.
Sipas BBC, dezertimet e deputetëve ka gjasa të shtohen në ditët e ardhshme, por që të kthehen në një parti të mirëfilltë, të larguarve u duhet të tërheqin figura të tjera përtej laburistëve. Rrjeti informativ britanik nënvizon se edhe dy ligjvënës të tjerë po mendojnë largimin nga laburistët, por janë ende të pavendosur. Grupi i deputetëve rebelë synon të minojë kështu perspektivën në rritje të planit B për Breksit, të promovuar nga vetë Korbin, që parashikon një dalje më të butë nga BE-ja, ndryshe nga plani i kryeministres konservatore Theresa Mej, për të cilën mjafton vetëm që Breksit të konkretizohet edhe pa një marrëveshje. Të larguarit e kanë justifikuar veprimin e tyre edhe me indiferencën e liderit Korbin ndaj fenomeneve anti-semitike, që tashmë janë institucionalizuar në çdo strukturë bazë të partisë./abcnews.al