Kryeministri britanik Boris Xhonson ka marrë goditjen e rradhës pasi parlamenti rrëzoi propozimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 15 tetor të këtij viti. Opozita miratoi për herë të tretë ligjin që ndalon një Brexit pa një marrëveshje me Bashkimin Europian.
Nuk është miratuar nga parlamenti britanik mocioni i prezantuar nga Boris Xhonson për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mbretërinë e bashkuar Brenda datës 15 tetor. Opozita nuk ka pranuar porpozimin e kryeministrit duke kërkuar garanci për hyrjen në fuqi të ligjit që nuk lejon daljen e vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Pas votimit i cili u karakterizua nga një numër i madh abstenimesh, Boris Xhonson foli sërish duke akuzuar liderin e opozitës laburiste se do t’i ndalojë popullit britanik që të votojë. Ai u shpreh se kjo ishte hera e parë në historinë e vendit që një lider i opozitës refuzon ofertën për të votuar.
Për të votuar në 15 tetor ishte e domosdoshme që propozimi të merrte 2/3 e votave. Kreu i qeverisë kërkoi këtë mundësi pasi deputetët për herë të tretë miratuan ligjin që bllokonte një Brexit pa marrëveshje nëse kryeministri nuk do të arrinte një marrëveshje të re me Bashkimin Europian brenda datës 31 tetor.
Këto rezultate konfirmojnë dhe më shumë përçarjen e mazhorancës qeverisëse, por kryeministri konservator nuk ka ndërmend të dorëzohet.
Ndërkohë qeveria britanike bëri të ditur se qytetarët europianë mund të kërkojnë të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar për tre vjet nëse do të ndodhë një Brexit pa marrëveshje. Ata që vijnë në vend brenda këtij viti mund të kërkojnë leje qëndrimi sipas rregullave të reja sipas asaj që raporton BBC. Në këtë mënyrë qytetarët europianë që shkojnë në Britaninë e Madhe para vitit 2020 do të mund të qëndrojnë deri në vitin 2023. /ABC News Albania 24/7