Brexit në rrezik!

schedule16:00 - 10 Mars, 2019

schedule 16:00 - 10 Mars, 2019

Teksa po afron epilogu, Brexit në Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të shoqërohet me një seri opsionesh, që nga ai i daljes pa një marrëveshje nga blloku europian deri tek një referendum i dytë për qëndrimin ose jo në BE.

Brexit mund të kthehet mbrapsht nëse ligjvënësit hedhin poshtë marrëveshjen e daljes nga BE-ja të arritur nga qeveria. Deklarata është bërë nga sekretari britanik i Punëve të Jashtme, Jeremy Hunt, pasi dy nga fraksionet më euro-skeptike në Parlament paralajmëruan se kryeministrja Theresa May rrezikon dështimin.

Kur kanë mbetur 19 ditë nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja, May po përpiqet të sigurojë nga Brukseli disa ndryshime të minutës së fundit në strategjinë e daljes, përpara se Parlamenti të votojë marrëveshjen e saj ditën e martë.

Në rast dështimi, ligjvënësit pritet të detyrojnë May të kërkojë një shtyrje të Brexit, një lëvizje që mund ta kthejë mbrapsht vendimin e vitit 2016 për të lënë bllokun. Ndërkohë, politikanë të tjerë argumentojnë se pa një shtyrje Britania do të përballet me një shok ekonomik.

“Kemi shansin të largohemi më 29 Mars, ose fare pak më pas dhe është e rëndësishme ta kapim këtë mundësi sepse ka njerëz që po përpiqen ta ndalin Brexit. Aktualisht po lundrojmë në ujëra shumë të rrezikshme”, ka deklaruar Hunt për BBC.

Kriza që ka përfshirë Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me anëtarësimin në BE po i afrohet epilogut e shoqëruar nga një seri opsionesh, mes të cilave shtyrja, një marrëveshje e minutës së fundit, një dalje pa marrëveshje, zgjedhje të parakohshme, si dhe një referendum të dytë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!