Kryeministrja Thereza May ka paralajmëruar se Bashkimi Europian po rrezikon jetën e qytetarëve me largimin e Britanisë nga sistemet e sigurisë të Unionit. Madje kjo, sipas saj, do të ulë ndjeshëm kapacitetin e Mbretërisë së Bashkuar në luftën kundër terrorizmit.
Detyrimi i Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga paktet e sigurisë së Bashkimit Europian pas Brexit rrezikon sigurinë e qytetarëve të BE-së dhe Britanisë. Ky është paralajmërimi i kryeministres Thereza May për liderët europianë. Britania nënvizon se negociatorët e BE-së po bllokojnë marrëveshjet për gjurmimin e terroristëve dhe ndarjen e informacionit pas marsit të 2019-s. Unioni thotë se pasi Mbretëria e Bashkuar të bëhet “vend i tretë” nuk mund të ketë të njëjtë qasje në iniciativat policore.
May i bëri thirrje liderëve të BE-së që të konsiderojnë atë që është në interesin më të mirë të sigurisë së qytetarëve të dy palëve. Këto komente kryeministrja i bëri në fund të samitit të Këshillit Evropian dhe vjen përpara takimit të Tetorit, në të cilin Brukseli dhe Londra shpresojnë të arrijnë një marrëveshje për marrëdhënien në të ardhmen.
Megjithatë, parashikimet nuk janë optimiste. Pas largimit nga Brukseli, liderët e BE-së kanë diskutuar për Brexit pa kryeministren May. Sipas zyrtarëve britanikë, të cituar nga BBC, shefja e qeverisë së Londrës kërkon nga Unioni që vendi i saj të vijojë pjesëmarrjen në skema si mekanizmi “Prum” për shkëmbimin e profileve të ADN-së, Sistemin e Informacionit të Gjeneratës së Dytë të Shengen, një arkiv të dhënash që jep alarmin në kohë reale për individë të caktuar dhe në Sistemin Europian të Informacionit të Rekordeve Kriminale. Sipas May, pa qasje në këto sisteme, aftësia e Britanisë për të luftuar terrorizmin do të reduktohet./abcnews.al