Duke cituar konventat shekullore të Parlamentit britanik, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve ka vendosur veton ndaj votimit të tretë të marrëveshjes së Brexit, të ndërmjetësuar nga kryeministrja May dhe Brukseli.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Britani, John Bercow ka përjashtuar mbajtjen e një votimi të tretë për marrëveshjen e Brexit, nëse në thelb ajo do të jetë e njëjta. Ai u tha ligjvënësve se konventat parlamentare që datojnë që në vitin 1604 sugjerojnë se deputetëve nuk mund t’u kërkohet të votojnë dy herë mbi të njëjtin subjekt.
Anëtarët e Parlamentit hodhën poshtë javën e kaluar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga kryeministrja Theresa May me Bashkimin Europian.
Vendimi i kryetarit të Parlamentit vjen në një kohë kur qeveria synon mbajtjen e një votimi të tretë, në përpjekje për të gjetur konsensusin mbi akordin me Brukselin. Por Bercow tha se, votimi i dytë i draftit të kryeministres ishte në rregull, por çdo proces tjetër votimi duhet të kalojë testin e ndryshimit për t’u lejuar.
Më herët, përmes një editoriali, May u bëri thirrje ligjvënësve që ta miratojnë marrëveshjen në ditët e ardhshme, por disa nga ministrat e saj thanë se një votim i tretë nuk mund të mbahet nëse nuk ka siguri për fitore. Kryetari Bercow e mori vendimin e tij si reagim ndaj shqetësimeve të deputetëve, se mund t’u kërkohet të shprehen për të njëjtën gjë pafundësisht.
“Por votimet e mëtejshme për një draft që në thelb është i njëjti nuk do të lejohen”, tha Bercow.