BREXIT dhe kufiri irlandez, reagon Junker: Plani i Johnson me probleme

schedule22:12 - 2 Tetor, 2019

schedule 22:12 - 2 Tetor, 2019

Qeveria britanike ka zbardhur detajet e planit për Breksit, që përfshin edhe zgjidhjen e çështjes së kufirit irlandez.

Pasi është njohur me të, presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka deklaruar se dokumenti përmban ende problematika që duhen zgjidhur.

Qeveria britanike i dorëzoi të mërkurën Bashkimit Europian propozimet për Breksit, mes të cilave edhe plani për zëvendësimin e kufirit irlandez.

Plani, i parashtruar në një dokument me 7 faqe, parashikon që Irlanda e Veriut të vijojë qëndrimin në tregun e përbashkët europian, por jo në unionin doganor.

Gjithashtu, në dokument saktësohet se kontrollet doganore duhet të jenë të decentralizuara në të dyja anët e kufirit irlandez, përmes një numri të vogël zyrash të vendosura pranë depozitave të mallrave ose pikave të ngarkim-shkarkimit, por pa barriera fizike.

Në reagimin e tij ndaj propozimeve, presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker deklaroi se plani ka ende pika të kontestuara sa i takon çështjes së kufirit irlandez.

Megjithatë, gjatë një bisede të zhvilluar me kryeministrin britanik, Junker vlerësoi gatishmërinë e Boris Xhonson për të vijuar bisedimet me qëllim progresin drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

Ndërkohë, që të jetë aktiv plani duhet të miratohet edhe nga Parlamenti i Irlandës së Veriut, fillimisht për një aprovim paraprak dhe më pas çdo 4 vjet që ai të mbetet në fuqi.

Kryeministri Leo Varadkar tha se propozimi i ri nuk i përmbush tërësisht objektivat që kanë të bëjnë me: vijimin e qëndrimit në tregun e përbashkët europian; ruajtjen e paqes në Irlandën e Veriut; dhe bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Irlandës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!