Brukseli i ka dërguar mesazhin e radhës Londrës, se në mungesë të respektimit të kritereve, procesi i daljes nga Bashkimi Europian do të realizohet pa atë që njihet si periudha e tranzicionit.
“Londra ose duhet të pranojë rregullat, ose nuk do të ketë fare tranzicion”. Mesazhi i qartë për Mbretërinë e Bashkuar është dhënë nga ndërmjetësi i BE për Brexit, Michel Barnier.
“Jam shumë i habitur nga mosmarrëveshjet e britanikëve. Koha nuk pret”, ka deklaruar Barnier. Ai i është referuar kushteve që kanë të bëjnë me të drejtat e qytetarëve europianë për të lëvizur lirshëm në Britani, si dhe insistimit të Britanisë për të qenë pjesëmarrëse në çështjet e drejtësisë dhe punët e brendshme të Unionit.
“Disa pika janë të panegociueshme, si ato për liritë themelore dhe tregu i brendshëm”, ka thënë Barnier. Ndërkohë, reagimi i irrituar i negociatorit të BE-së ka mbërritur menjëherë në Londër, duke shtyrë opozitën vendase që t’i kërkojë llogari kryeministres Theresa May.
Ministri hije për çështjen “Brexit”, Keir Starmer ka akuzuar May se po sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe i ka bërë thirrje që t’u japë fund mosmarrëveshjeve të brendshme të konservatorëve, që sipas tij mbajnë peng procesin tranzitor. Laburistët insistojnë që marrëveshja që do të arrihet me Brukselin të parashikojë qëndrimin e Mbretërisë në tregun e përbashkët dhe unionin doganor gjatë kohës së daljes nga BE-ja./abcnews.al