Komisioni Europian me anë të një dokumenti ka paralajmëruar vendet anëtare që të përgatiten dhe për një dështim të negociatave me Mbretërinë e Bashkuar përsa i përket Brexit.
Vendet e Bashkimit Europian dhe sipërmarrjet duhet të intensifikojnë përgatitjet e tyre për pasojat që do të ketë dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian, në mënyrë të veçantë dhe në rast të dështimit të negociatave për këtë largim.
Paralajmërimi është bërë nga komisioni i Bashkimit Europian për vendet anëtare. Ekzekutivi me anë të një dokumenti fton vendet anëtare dhe aktorët privatë që të shtojnë përgatitjet e tyre, duke parashikuar çdo skenar duke theksuar se nëse marrëveshja për daljen e Britanisë së Madhe nuk do të ratifikohet para 30 Marsit 2019, nuk do të ketë një periudhë tranzicioni.
Dhe e drejta e Bashkimit Europian nuk do të aplikohet më në Mbretërinë e Bashkuar. Komisioni Europian thekson në këtë paralajmërim se nuk do të ketë asnjë marrëveshje për ndryshimin e datës së ratifikimit. Mes sektorëve ku parashikohen më shumë pasoja, është ai i kontrollit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian./abcnews.al