Është gjetur marrëveshja për periudhën e tranzicionit, për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Por Mishel Barner, kryenegociatori I BE-së për Brexit, u shpreh se cështja e Irlandës së veriut mbetet ende e pazgjidhur.
Kryenegociatori për Bashkimin Europian në çështjen e Brexit, Mishel Barnier, deklaroi se është përfunduar një tekst ligjor rreth marrëveshjes për Brexit, pothuajse për pjesën më të madhe të çështjeve. Marrëveshja në fjalë ëshët e kompletuar për sa i përket të drejtave të qytetarëve dhe faturës që londra duhet të paguajë për të dalë. Por mbetet ende për t’u mbyllur çështja irlandeze.
Barnier përsëriti dhe njëherë propozimin europian për krijimin e një hapësire të rregullt dhe të përbashkët e cila përfshin Bashkimin Europian dhe Irlandën e Veriut, pa kufij të brendshëm.
Periudha e tranzicionit post Brexit është kërkuar nga Londra për të shmangur pasojat e një daljeje të ashpër deri në mars të 2019-ës. Kjo në pritje të marrëveshjeve tregtare ndërmjet Europës dhe Britanisë së madhe.
Barnier theksoi se periudha e tranzicionit duhet të jetë e kuizuar ashtu si dhe ka kërkuar qeveria britanike. Gjatë kësaj periudhe Britania e Madhe nuk do të marrë më pjesë në proceset vendimmarrëse të BE-së, por do të jetë e detyruar të aplikojë normat e tij. Londra, nga ana tjetër do të ruajë të gjitha përfitimet nga tregu i përbashkët dhe unioni doganor.
Gjithashtu është rënë dakord që qytetarët britanikë dhe ata të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian që do të vijnë gjatë periudhës së tranzicionit, do të kenë të njëjtat të drejta me ata që kanë arritur në vend para Brexit; qoftë në një vend europian apo në Mbretërinë e Bashkuar. /abcnews.al