Kryeministrja britanike Thereza Mej u bëri të hënën ligjvënësve apelin e fundit për të votuar pro marrëveshjes së Breksit të arritur me Brukselin. Në prag të votimit të së martës, Mej u kërkoi deputetëve që ta shikojnë për një herë të dytë marrëveshjen që e nxjerr Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja.
“U drejtohem anëtarëve të të gjitha palëve në Dhomën e Përfaqësuesve. Cilido qoftë përfundimi në të cilin keni arritur më parë, mendojeni edhe njëherë”, tha Mej.
E vetëdijshme se aktualisht rrëzimi i marrëveshjes është më i mundshëm sesa opsioni për një Breksit pa marrëveshje, Mej kërkoi t’i jepej një shans.
“Nuk është një marrëveshje e përsosur. Është një kompromis. Por unë mendoj se për hir të qytetarëve britanikë duhet të fillojmë nga puna për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritshme për vendin tonë duke e mbështetur këtë marrëveshje ditën e martë”, tha Mej.
Kryeministrja u kujtoi deputetëve të mbledhur në Dhomën e Përfaqësuesve garancitë që ka marrë nga Brukseli për marrëveshjen dhe paralajmëroi se në rast dështimi, Mbretëria e Bashkuar rrezikon copëtimin./abcnews.al