Anëtarë të kabinetit të Thereza Mej po përpiqen të bindin kryeministren të ndryshojë disa amendamente të marrëveshjes për Breksit. Përpjekjet vijnë pasi konservatorët e pakënaqur deklarojnë se varianti aktual i draftit do të realizojë vetëm një shkëputje gjysmake të Britanisë nga BE-ja.
Një grup prej 5 ministrash po përpiqen të bindin kryeministren britanike Thereza Mej që të bëjë disa ndryshime në marrëveshjen për Breksit. Dokumenti prej 585 faqesh përmban kushtet e largimit të Mbretërisë së Bashkuar, detajet se sa para duhet t’i paguajë Bashkimit Europian dhe të drejtat e qytetarëve gjatë periudhës së tranzicionit. Pavarësisht valës së kritikave, kryeministrja Mej e ka mbrojtur marrëveshjen dhe ka premtuar se do të bëjë realitet finalizimin e saj, i planifikuar për më 25 nëntor. “Ka ende shanse për ta përmirësuar marrëveshjen. Britania nuk mund të mbetet e bllokuar në unionin doganor të BE-së”, ka deklaruar kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Andrea Lidsom.
Publikimi i draftit shkaktoi polemika të shumta në klasën politike britanike dhe Mej u ndodh në një pozitë të vështirë pas dorëheqjes së disa ministrave, përfshirë atë të Breksit. Disa eksponentë të konservatorëve, që nuk bien dakord me variantin e Mej, kanë hedhur firmat për një votëbesim për kryeministren, që rrezikon t’i hapë shumë telashe lidershipit të saj. Mark Fransua, një nga ligjvënësit konservatorë që kanë deklaruar publikisht se kanë hedhur firmën, ka deklaruar se plani i Mej do ta lërë Britaninë gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë Bashkimit Europian dhe paralajmëroi se varianti i marrëveshjes nuk do të kalojë kurrë në Parlament./abcnews.al