Policia greke ka përfunduar një operacion të gjerë kundër trafikut të qenieve njerëzore, të koduar me emrin “Kerveros”, ku janë arrestuar 23 persona të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar kriminal. Gjatë operacionit janë sekuestruar 3.700 pasaporta dhe karta identiteti të falsifikuara, si dhe rreth 50 mijë euro cash.

Sipas autoriteteve greke, janë identifikuar të paktën katër laboratorë ku prodhoheshin dokumente false, kryesisht pasaporta shqiptare dhe greke. Gjatë kontrolleve në disa apartamente, hetuesit zbuluan çanta të mbushura me pasaporta, sirtarë me pulla zyrtare dhe zarfe me shuma të konsiderueshme parash.
Në pranga ka rënë edhe koka e grupit kriminal, i cili kishte ngritur një laborator të sofistikuar brenda një apartamenti në zonën e Peristerit, në Athinë, ku banonin punëtorë të thjeshtë. Aty u prodhonin dokumentet false që përdoreshin për trafikun e paligjshëm të emigrantëve.

Hetimet kanë zbuluar se rrjeti ishte përfshirë në mbi 500 raste të trafikimit të paligjshëm, duke përfituar një shumë të vlerësuar prej të paktën 4 milionë euro. Trafiku kryhej përmes rrugëve tokësore nga Shqipëria, por edhe me anije bregdetare, ku emigrantët fshiheshin në kabina të përshtatura posaçërisht për t’u shmangur kontrolleve.
Operacioni “Kerveros” konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikimit të qenieve njerëzore në Greqi vitet e fundit, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe rrjeteve të lidhura me këtë grup.

