Brdaric: Vllaznia gati për Superkupën, arbitrat duhet të ishin më të shpejtë

schedule10:36 - 23 Gusht, 2021

schedule 10:36 - 23 Gusht, 2021

Vllaznia bëri një ndeshje shumë të fortë dje ndaj Tiranës, por në fund doli e mundur me shifrat 1-0 nga “Selman Stermasi”. Gjithsesi, trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric, u duk i kënaqur me djemtë e tij dhe tha se skuadra është gati për finalen e Superkupës ndaj Teutës.

“Ishte një test i mirë ndaj një kundërshtari të fortë. Ky takim për ne tregoi se jemi më mirë se në ditët e shkuara. Jemi gati për Superkupën. Po shikoj gjëra të mira nga lojtarët e mi, vetëm se duhet të jemi më të përqendruar në fazën e finalizimit të aksioneve.

Kam besim se do ta përmirësojmë edhe këtë mangësi para portës kundërshtare. Po luanim ne ndaj një kundërshtari të fortë dhe doja që gjyqtarët të ishin më të shpejtë në vendimmarrje. Për mua gjyqtari e humbi përqendrim në 2-3 situata, pasi duke lejuar vazhdimin e lojës, ne mund të shfrytëzonim kundërsulmin.

Gjithsesi, kemi marrëdhënie shumë të mira me gjyqtarët. Për mua, duhet të punojmë shumë fort dhe të tregojmë të njëjtën paraqitje nga sezoni i shkuar. Çdo gjë duhet të jetë në maksimum e perfeksion dhe ne vazhdojmë të punojmë për këtë gjë.

Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të treguar më të mirën. Duhet të jemi të duruar dhe të vazhdojmë përpara. Gjersa ky proces është ende i hapur, ne gjithnjë shikojmë mundësitë për përmirësime dhe të jemi më të mirë, ashtu siç e dëshirojmë të gjithë.

Gjithsesi, unë po punoj me lojtarët që kam dhe mendoj se skuadra është e plotë. Ndaj, na duhet që t’u japim lojtarëve tanë besimin e duhur që ata të jenë të zotët për t’i fituar ndeshjet. VAR në Shqipëri? Për mua është gjë shumë e mirë, brilante. Ky sistem u jep mundësinë gjyqtarëve që të bëjnë një punë edhe më të mirë në vijim”, tha Brdaric. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!