Brazili doli me besim të shtuar nga fitorja ndaj Gjermanisë në Berlin. Trajneri Tite vlerësoi skuadrën e tij, por shtoi se ky sukses nuk ishte një hakmarrje për humbjen e pësuar në Botërorin e kaluar
Nuk ishte pak t’ia dilje në fushën e kampionëve.
Pavarësisht ndryshimeve aspak të vogla në përbërje, sërish një fitore e Brazilit në Berlin ndaj Gjermanisë, quhet arritje e madhe, diçka që i kënaqi ata që quhen “magjistarët e topit”.
Një gol i Gabriel Zhezusit bëri diferencën në stadiumin “Olimpik” të Berlinit, në bashkëpunim edhe me portierin gjerman Trap që gaboi, ndërsa miqtë nga Amerika Latine ishin më lart.
Ndikoi formacioni më i plotë i tyre, me yjet më të rëndësishëm thuajse të gjithë në fushë, ndikuan edhe eksperimentet e gjermanëve, por ndikoi fort edhe dëshira për t’u hakmarrë për humbjen 1-7 pësuar në Belo Horizonte, në gjysmëfinalet e Botërorit.
Trajneri Tite, edhe pse i kënaqur, e refuzon këtë skenar.
Tite: “Ju gazetarët keni shkruar shumë për humbjen tonë me Gjermaninë, por në të vërtetë ajo gjë ka marrë fund me kohë. Ne erdhëm këtu thjesht për të luajtur futboll, luajtëm mirë dhe fituam. Ne nuk kishim as zemërim, as urrejtje dhe as dëshirë për hakmarrje, sepse nuk mund të luash mirë me ndjenja të tilla. Nuk donim të shëronim krenarinë e plagosur, por donim të përgatiteshim për Botërorin. Ka shumë gjëra pozitive për t’u marrë nga kjo ndeshje, edhe pse bëmë disa gabime. E merituam fitoren, ndërsa po mësohemi të luajmë pa Nejmarin, dhe kjo është pjesë e forcës sonë”.
Brazili pati si titullarë lojtarët më të mirë të mundshëm, me përjashtim të Nejmarit të dëmtuar.
Që nga porta ku ishte Ederson, për të vazhduar me secilin repart ku bënin pjesë yje si Marselo, Tiago Silva, Miranda, Dani Alvesh, Kasemiro, Paulinjo, Uillian, Fernandinjo, Kutinjo e Gabriel Zhezus.
Të gjithë lojtarë nga klube të mëdhenj si Barcelona, Reali, Mançester Siti, Çelsi, Paris SG, Roma apo Juventusi.
Trajneri gjerman, Joakim Lëv, në të kundërt, bëri prova, dhe kjo ndikoi tek paraqitja e kampionëve të botës.
Vendasit u dukën ekip në tranzicion për shkak të dëmtimeve të shumta dhe dëshirës së Lëvit për të testuar idetë e tij.
Lëv: “Mendimi im është që kjo nuk ishte dita jonë. Ekipi nuk arriti të luante siç duhet ndaj Brazilit, pavarësisht se pati edhe shumë ndryshime në formacion si dhe u bënë mjaft zëvendësime. Nuk kishim automatizmat e duhura në aksionet tona sulmuese dhe kjo ndikoi. Gjithsesi, besoj se lojtarët tanë të rinj kanë fituar eksperiencë nga kjo ndeshje, ndërsa ne do të dimë të nxjerrim mësime nga humbja. Secili prej futbollistëve mund të kishte luajtur më mirë. Po ashtu, duhet t’i japim meritën e duhur Brazilit që luajti shumë i motivuar”.
Padyshim që në Botëror do të jetë një Gjermani e ndryshme, e gatshme për të mbrojtur titullin botëror, veçse edhe Brazili duket si i rikthyer, aspak I ngjashëm me ekipin që u turpërua në Kupën e kaluar të Botës. /abcnews.al