Brazili mundi Argjentinën dhe u kualifikua në finalen e Kupës së Amerikës, por pati shumë polemika pas ndeshjes. Lionel Mesi akuzoi gjyqtarin se vendosi fatin e ndeshjes.
Futbolli dihet, fitohet nga ata që shënojnë golat, jo nga ata që godasin shtyllat. Ishte Brazili që realizoi dy rrjeta, ndaj dy shtyllave të goditura nga Argjentina, duke kaluar rivalin e përjetshëm e duke mbajtur gjallë shpresën për trofe në Kupën e Amerikës.
Përfundoi 2-0 gjysmëfinalja në stadiumin e Belo Horizontes, me tifozët vendas që u lumturuan për finalen e arritur, dhe me Lionel Mesin që regjistroi një tjetër dështim me kombëtaren.
Ashtu siç parashikohej, brazilianët ishin pak më lart, duke pasur autorë golash Gabriel Jesus-in dhe Roberto Firminon, pra sulmuesit që luajnë në Angli me Manchester City dhe Liverpool.
Aguero e Mesi iu afruan golit për Argjentinën, por u ndalën pikërisht nga trarët e portës së Alisonit.
“Ishte një fitore shumë e vështirë, – deklaroi trajneri i brazilianëve, Tite, – shënuam gol, dhe vuajtëm presionin e Argjentinës, duke qenë efikasë dhe vendimtarë. Mesi është një alien dhe jam i lumtur që arritëm të mbulonim një lojtar të tillë, që meriton gjithë adhurimin që kanë tifozët për të. U desh të ndryshonim strukturën e ekipit për t’ia dalë”.
Vetë Mesi ishte i tërbuar me gjyqtarin, duke pretenduar penallti, pas episodeve që ndodhën në zonën e rreptësisë së Brazilit, me Agueron dhe Otamendin.
“Ishte arbitri që na nxorri nga loja me vendimet e tij të çmendura, – u shpreh lojtari më i mirë i botës, – meritonim ta fitonim ndeshjen, por nuk na lejuan. Përse gjyqtari nuk u këshillua me VAR-in për rastet e penalltive? Brazili nuk ishte më I mirë se ne”.
Ndeshja ishte tepër e ashpër, në prani të 56 000 spektatorëve, siç pritej nga duele të tillë të Kupës së Amerikës, ndërsa u morën plot 7 kartonë të verdhë, por jo të kuq.
Pesë lojtarë të paralajmëruar ishin argjentinas: Taliafiko, Akunja, Fojth, Lautaro Martinez, Aguero, ndërsa dy brazilianë. Argjentina luftoi shumë, sidomos në pjesën e dytë, por nuk pati edhe fat.
Ja edhe jehona e gazetave.
Në Brazil, “O Dia”: Brazili hedh tej vëllezërit! Gabriel Zhezus mrekullon dhe udhëheq fitoren e seleksionit brazilian ndaj Argjentinës, 2-0 në Mineirao!
“Estado de Minas”: Lamtumirë vëllezër! Me paraqitjen vendimtare të Gabriel Zhezusit, Brazili mund Argjentinën dhe është në finale! Ja si e përjetoi Mesi humbjen ndaj “Selesaos”!
“Tribuna”: Lamtumirë Mesi! Në mbrëmjen ku mbretëroi Dani Alvesh, Leo nuk mundi të ndihmonte kombëtaren e tij!
Në Argjentinë, “Klarin”: Brazili ndali Argjentinën, me lojë të thjeshtë dhe praktike! Kombëtarja luajti ndeshjen më të mirë, por nuk ia doli. Mesi shkëlqeu dhe Seleksioni pati shanset e tij, por nuk mjaftoi!
“La Gaseta”: Edhe një herë me duart bosh! Duke luajtur në mënyrë dinjitoze dhe pa e merituar humbjen, Seleksioni u eleminua në gjysmëfinale të Kupës! Rezultati 2-0 ishte i ekzagjeruar, por Brazili u tregua praktik! Mesi vazhdon të mos fitojë me kombëtaren!
Mesit, tashmë, do t’i duhet të presë moshën 34-vjeçare për të synuar titullin me kombëtaren, në Botëror./ABC News Albania 24/7