Brazil, ekzekutohet aktivistja e të drejtave të njeriut

schedule22:36 - 15 Mars, 2018

schedule 22:36 - 15 Mars, 2018

Një aktiviste shumë e njohur për të drejtat e njeriut në Brazil është ekzekutuar në qytetin e Rios. Nisur nga metoda e vrasjes dhe angazhimet e 38-vjeçares hetuesit janë të bindur se kanë të bëjnë me një vrasje politike.

Një aktiviste mjaft e njohur për të drejtat e njeriut në Brazil është ekzekutuar në një atentat me armë zjarri në zemër të Rios. Marielle Franco, 38 vjeç, popullore për mbrojtjen e banorëve të lagjeve të varfëra që keqtrajtohen nga policia është qëlluar me 5 plumba.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, në pjesën veriore të Rios, e njohur për praninë e theksuar të kriminalitetit. Franco ishte gjithashtu anëtare e këshillit bashkiak dhe në zgjedhjet e fundit kishte dalë e pesta mes figurave më të votuara në radhët e Partisë Social-Liberale.

Disa javë më parë, qeveria federale në Brazil kishte vendosur që ushtria të merrte në dorë të gjitha operacionet e sigurisë në Rio, pasi numri i vrasjeve ishte rritur ndjeshëm.

Franco e kritikoi ashpër këtë lëvizje të dielën e kaluar, kur tha se mund të çonte në përkeqësimin e dhunës së ushtruar ndaj banorëve. Ndërkohë, policia, drejtësia, por edhe krerë të bandave braziliane e kanë cilësuar vrasjen të karakterit politik.

“Është ende herët për ta thënë, por jemi të bindur se vrasja është bërë për shkak të angazhimeve politike të saj. Kjo është pista kryesore”, ka deklaruar një prokuror në kushte anonimati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!