Bovilla, Veliaj: Investimi më i madh në ujësjellës në 20 vite

schedule15:54 - 16 Janar, 2019

schedule 15:54 - 16 Janar, 2019

Në ujësjellësin e Tiranës sipas kryetarit të bashkisë, nis investimi më i madh i realizuar në 20 vitet e fundit. Kjo ndërhyrje sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, do t’i japë zgjidhje problemit të furnizimit me ujë, në periferi të qytetit.

Bashkia e Tiranës ka nisur investimin për të dyfishuar kapacitetin përpunues dhe filtrues të ujit në impiantin e Bovillës, si dhe për të ndërtuar një linjë të re transmetimi, e cila rrit ndjeshëm furnizimin me ujë për qytetarët, veçanërisht ata që jetojnë në periferi.

 “Jam jashtëzakonisht i impresionuar: Është një nga ditët më të ftohta të vitit, megjithatë vlon puna në impiantin e Bovillës. Para 20 vitesh, Tirana kishte gjysmën e popullsisë, me dyfishimin e popullsisë, janë dyfishuar nevojat për ujë. Ndaj, po fillojmë dyfishimin e impiantit të Bovillës. Është një ditë historike për ujësjellës-kanalizimet, jo vetëm të Tiranës, por të Shqipërisë, sepse 1/3 e popullsisë jeton në Tiranë. Ky është ndoshta investimi më i madh pas 20 vitesh për kryeqytetin shqiptar, kur vjen puna te furnizimi me ujë”, tha ai.

Nisja e këtij investimi, për kryebashkiakun e Tiranës shenjon nisjen e realizimit të premtimit se Tirana do të ketë 24 orë ujë në 5 vjet.

“Ashtu siç kemi premtuar, kjo shënon edhe nisjen e kronometrit për premtimin tonë të 5 viteve: ‘Tirana, ujë 24 orë’. Ka qenë një betejë! Beteja në Këshillin Bashkiak, betejë politike. Faktet janë kokëforta, Tirana ka ende sot ujin më të lirë nga qytetet kryesore në Republikën e Shqipërisë, e megjithatë, ne prapë do të vazhdojmë për t’u siguruar që administrohet mirë çdo qindarkë, që me këto investime dhe ndihmën që na dha BERZH-i, të besojmë te reforma jonë e ujit, si një nga ujësjellësit që ka performuar më mirë vitin e kaluar”, tha Veliaj.

Investimi do të kryhet në dy faza, njëra prek rritjen e kapacitetit përpunues të ujit në Bovillë që sipas kryetarit të bashkise pritet të përfundojë brenda verës ndërsa tjetra ka të bëjë me shtrimin e një rrjeti të ri të transmetimit të ujit nga Bovilla në qytet që do të jetë gati brenda vitit./abcnews.al