Periferitë e Tiranës janë kthyer në destinacionet e preferuara për t’u vizituar. Ne jemi nisur drejt Bovillës, një nga zonat më të frekuentuara për të gjithë ata që duan ajrin e pastër, natyrën dhe pse jo sportet e aventurës.
Liqeni i Bovillës ndodhet rreth 15 km larg Tiranës. Sapo kalon fshatin e Zall Herrit, rruga drejt liqenit është mjaft piktoreske, mes një gryke shkëmbore.
Pa mbërritur në destinacion, shumë preferojnë të ndalojnë për të shijuar peisazhin.
Liqeni i Bovillës shtrihet në një sipërfaqe prej 4.6 km dhe furnizon rreth 80 % të kryeqytetit me ujë të pijshëm. Liqeni rrethohet nga male me shkëmbinj, duke kombinuar një natyrë mbresëlënëse.
Liqeni ndodhet midis Tiranës dhe Krujës. Ujëmbledhësi i Bovillës furnizohet me ujë nga lumi Tërkuzë dhe prej vitit 1998 është furnizuesi kryesor me ujë të pijshëm i Tiranës dhe zonës përreth.
Liqeni rrethohet nga vargmalet e Skënderbeut, mali i Dajtit, mali me Gropa, mali i Gamtit, Xibrit dhe Kotit.
Përveç qetësisë dhe natyrës së bukur që të ofron, zona është mjaft e preferuar për ata që pëlqejnë ecjen apo çiklizmin malor. Kushdo që viziton zonën, nuk largohet pa u ngjitur në ballkonin e Bovillës. Le të shkojmë atje….
Në Bovillë dëgjon gjuhë të ndryshme të botës. Vizitorët janë të gjithë turistë të huaj, të vetmit shqiptarë janë shoqëruesit e tyre që punojnë si guidë.
Dhe ja ku mbërritëm në ballkonin e Bovillës. Pamja këtu është fantastike, ndërkohë që kjo është pika më e lartë ku ngjiten turistët e huaj.
I gjithë liqeni dhe zona përreth tij shihet nga këtu shumë qartë. Më aventurierët preferojnë të ngjiten edhe më lart, duke u kacavjerrë mes shkëmbinjve për të parë nga afër shpellat e shumta që ndodhen mes shkëmbinjve.
Turistët janë nga vende të ndryshme të botës. Është hera e parë që vizitojnë vendin tonë dhe nga ajo që shohin shprehen të magjepsur.
“Jam nga Bullgaria. Është hera ime e parë në Shqipëri, është shumë bukur. Eshte e mahnitshme. Erdhëm me një grup për një festival kërcimi. Kemi ardhur këtu në Bovillë për një udhetim, është shumë këndshëm”.
“Jam nga Holanda. Është hera e parë që vij këtu, është shumë bukur. Nuk kam parë asnjeherë diçka të ngjashme. Eshtë gjithashtu një vend ku mund të shkrepësh foto shumë të bukura dhe e sugjerojme për të gjithë qe te vizitojme liqenin e Bovillës”.
“Vijme nga Franca. Po, është hera e parë në Shqipëri. Mendojmë se është një vend shumë i bukur me peisazh të larmishëm. Është e mrekullueshme”.
“Shumë këndshëm. Liqeni dhe mali, është një vend shumë i mirë për të kaluar kohe. Nuk ka shumë njerez”.
“Nuk ka ende shumë turizëm kështu që është shumë mirë”.
“Morëm informacione për Shqipërinë nga rrjetet sociale dhe e cilësonin si një ndër vendet më të bukura, prandaj donim ta vizitonim. Nga Franca, distanca nuk është shumë e largët”.
“Dhe mund të them se është më lirë se Kroacia apo Greqia, kështu që është një miksim i mirë. Destinacioni i bukur…”
“Gjithashtu ende nuk njihet shumë, kështu që je i siguruar se do të gjesh një vend ku të qëndrosh dhe atraksionet turistike nuk janë të mbushura me njerëz”.
“Ne jemi nga Suedia. Është hera jonë e parë në Shqipëri. Është fantastike! Vërtet bukur! Si suedez, mund të them se e shijojmë shumë. E dinim që ishte një vend i bukur, por jo kaq shumë”.
Bovilla është futur në destinacionet kryesore të guidave. Riges Beqiri shoqëron një grup me suedezë.
“E duan shumë, janë të mrekulluar nga natyra e çdo gjë tjetër”.
Rigesi punon që prej vitit 2016 si guidë, numri i turistëve që ai shoqëron nga ardhur në rritje nga viti në vit. Por siç thotë ai, ky vit ka nisur me një bum të madh vizitorësh të huaj.
“Ne prisnin të kishim 30% me shumë. Krahasuar me vitin e kaluar në këtë periudhë janë shumë më tepër”.
Turistët qëndrojnë disa minuta në pjesën e ballkonit, për të shijuar pamjen, apo për të shkrepur fotografi.
Për ngjitjen apo zbritjen në ballkonin e Bovillës janë vendosur këto shkallë metalike, duke e bërë më të lehtë për vizitorët që duan të shijojnë pamjen nga lartësia.
Dikur kjo zonë njihej vetëm nga banorët e zonës përreth, ndërsa vitet e fundit nisi të frekuentohej gjatë fundjavave nga kryeqytetasit, por edhe qytete të tjera.
Tashmë ajo është një destinacion turistik dhe interesi i të huajve për ta vizituar ka ardhur duke u rritur./abcnews.al