Boton librin e parë/ Njihuni me Albanin, të riun nga Dibra që beson se poezia i bën njerëzit më të mirë

schedule12:34 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 12:34 - 12 Dhjetor, 2020

Nga Enkeleda Bodini

Alban Tufa, me të cilin do ju njohim sot është një djalë nga Dibra, lektor në Kolegjin Universitar “Bedër” dhe poet, që sapo ka botuar vëllimin e tij të parë me poezi.

Por, para se të ishte ky që ju prezantuam, ai ka qenë një fëmijë, si të gjithë fëmijët e tjerë të lindur e rritur në fshat.

Albani ka lindur në fshatin Sohodoll të Peshkopisë, për të cilin flet me krenari, se atje ka kujtimet më te bukura, dhe është identiteti i tij.

Që fëmijë, ishte natyrë kurioze. I pëlqente të ndihmonte prindërit në të gjitha punët e fshatit dhe të mësonte gjithë çfarë nuk dinte. Natyra e tij prej kureshtari e shtyu të kërkonte më tej rreth botës, përmes librave. Libri për të është shoqëruesi më i mirë, që e ka ndjekur prej vitesh dhe i ka mësuar shumë gjëra.

“Letërsia u fut në jetën time, në mbarim të gjimnazit. Lexoja librat e xhaxhait tim, Agron Tufës. Aty mundohesha të gjeja elemetë autobiografikë. I hapja sfidë vetes të gjeja në libër, babain, gjyshin, gjyshen. Kjo të duket bukur, në atë moshë, kur nuk merr vesh nga gjërat e bukura. Pra, kur nuk merr vesh nga teoritë letrare, nga estetika, karakteret, metaforat etj. E rëndësishme është që të bukurën e vëren”, thotë Albani.

Ndërsa ai rritej, bashkë me të rritej në mënyrë të pavetëdijshme dhe dëshira për të lexuar, për të zbuluar çfarë fshihej përtej fshatit të vogël ku ishte lindur dhe rritur.

Pas përfundimit të gjimnazin, Albani nisi Universitetin për Ekomoni, por i ndërpreu studimet, sepse nuk ishte diçka që e bënte me dëshirë.

“Gjatë sezonit të provimeve nuk mësoja, por shkruaja poezi. Nuk mora disa provime (0 pikë në Algjebër) dhe ndaj vendosa ta lë”, tha ai për abcnews.al.

Albani e la shkollën, por kurrë letërsinë. Ai vazhdonte të lexonte akoma më shumë. Prej leximit filloi të shkruante, më tepër poezi. Edhe pse një pasion i madh, letërsia nuk i sillte të ardhura. Kështu vendosi të emigronte në Greqi një periudhë, e më pas drejt Anglisë, andej nga ka shkuar thuajse çdo fëmijë i një familjeje dibrane.

Anglia, është tokë e premtuar për të rinjtë, por jo të gjithë kanë fatin të shkojnë.  Ai, mori vedimin që duhej të shkonte me qëllimin e vetëm të punonte dhe të fitonte para.

Arriti, por sapo shkeli në tokën e premtuar, u kap nga policia dhe u kthye në atdhe. Kthimet nuk janë të bukura në të tilla raste, por ky qe fati i tij dhe duhej ta pranonte.

Pasi provoi dhe emigrimin dhe nuk i eci, vendosi të rikthehej sërish në shkollë, pa ditur që aty do të fillonte e ardhmja e tij.

Në 2015, Albani nisi sërish universitetin. Ketë herë për të mos e lënë më. U diplomua në bachelor për Shkenca Komunikimi dhe master për Gazetari.

Gjatë periudhës së masterit, u angazhua në jetën akademike dhe tashmë është lektor, ndërsa me poezitë dhe tregimet që shkruante, merrte pjesë në konkurse letrare, në të cilat ka fituar një seri çmimesh e vlerësimesh të rëndësishme.

“Gjërat në jetën time kanë ndodhur aksidentalisht. Unë kam ardhur në shkollë sepse nuk kisha çfarë të bëja tjetër. Kam mësuar për të fituar kohën që kam humbur, po prapë aksidentalisht, jo për t’u bërë lektor. Thjesht isha në kohën e duhur, vendin e duhur, me tiparet e duhura. Ndërsa poezia, e para ka qenë aksidentale, të tjerat të vetëdijshme”, tha ai.

Këto poezi aksidentale, që pasoi me shumë të tjera, bënë që Albani të botonte librin e tij të parë “Një mbrëmje si mbrëmë”. Vëllimi poetik ka disa ditë që ka dalë në treg, dhe ajo që beson Albani është se me poezi, bota mund të ndryshojë duke u bërë më e mirë.

“Poezia funksionin e parë e ka tek unë, që e zbraz diçka nga vetja. Funksioni i dytë është komunikues, sepse është kanal që i ka të gjitha kodet dhe mjetet e gjuhës. Dhe reagimi që duhet të ketë te lexuesi, është që ta bëjë atë të mendojë. Problemi më i madh i njerëzve sot është se, mendojnë pak. Poezia duhet ta bëjë njeriun më të mirë, që pasi të mendojë t’i nxisë një farë aksioni”, tha Albani, duke shtuar shumica e të rinjve nuk e kanë në mendjen te formimi i tyre.

“Formimi është gjëja e fundit që të rinjtë mendojnë. Kështu kam qenë dhe unë, atëherë. Halli i tyre është si të çojnë ditën. Ata presin që dita e bukur të vijë, por ajo nuk vjen po nuk e bëre vetë. Duhet të bësh çmos për veten që të vijë ajo dita e bukur për të realizuar ëndrrat. Ëndrra që burojë nga shpirti, jo të nxitura nga jashtë”.

Ndërsa për të rinjtë që shkruajnë, por kanë frikë t’i botojnë, këshilla e tij është që ata të presin. Të presin derisa të jenë të bindur që ajo që do të botojnë, do pëlqehet jo vetëm për momentin, por për një kohë të gjatë.

Si Albani, ka shumë të rinj të tjerë shqiparë, që punojnë fort, lexojnë dhe shkruajnë. Janë modele që frymëzojnë dhe historitë e tyre duhen ndarë, për të inkurajuar pjesën tjetër që mos pushojë së investuari dije tek vetja, sepse herët a vonë, do të vlerësohen.

Më poshtë gjenden dy poezi nga vëllimi:

 

NJË MBRËMJE SI MBRËMË

Është mbrëmje

si të gjitha mbrëmjet e shkuara,

datat e bëjnë të jetë një tjetër.

Ndryshojnë edhe buzëqeshjet e të rinjve të dashuruar,

të shkretët, ashtu i kanë dhe ëndrrat:

të dukshme, të mëdha.

Të moshuarit kanë një çehre objektive

ashtu si dëshirat,

rrufisin kafetë shqeto

si e tashmja e tyre,

shtresë e ngrirë yndyre.

Bar-kafetë i pjekin të rinjtë

si kuleçë në furrë,

dy nga dy,

katër nga katër.

Këngët me ritme të kockta

i hyjnë njëra-tjetrës si thurje

e mbrëmjen e marrin zhag deri në orët e mbrame.

Rendi i ngjarjeve është besnik

rrufit e llafos,

rrufit e llafos,

rr… e ll…

kërce e gëlltit

derisa rendi thyhet.

 

Është mbrëmje

koha e duhur për t’u lutur,

koha kur bota do shkatërrohet thonë Librat,

duke rrufitur gllënjkën e parë të kafesë,

por askush nuk do t’ia dijë,

prandaj piqen si kuleçë,

kësaj mbrëmjeje çdoherë në kohën e tashme.

 

Korrik 2020

 

 

DITA QË NUK VJEN

Rrimë e presim në një gjendje gri

ditën kur dita e bukur të vijë.

 

Duam, tentojmë të zëmë diku vend,

por koha me hovin e vetes ngarend:

 

grimëçastet shkëputen, lëvizim sidoqoftë,

te mendimet tona rropaten me hov.

 

Rrekemi si kohën ta çojmë më mirë,

t’i ikim edhe kësaj dite të shëllirë.

 

Tok me kohën galuç përmbi shpinë

rrahim të marrim përherë arratinë

 

pak përtej brengës, pak përtej vetes

me frikë mëkatesh ndryrë sepetesh,

 

ndryrë nëpër zemra, kyçur nëpër shpirt

e shkuara, e ardhmja pleksur në flirt.

 

Mendojmë kur do vijë ai çast unik

lumturinë ta derdhim rrugës me ibrik,

 

por ai nuk vjen, por ai nuk duket,

për inatin tonë, ikën, trembet, struket.

 

Koha na i çan tash ditët si pykë,

dhe mendimet tona mbledhur shuk në grykë.

 

Korrik 2020

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!