Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Botës i duhet një traktat i ri shëndetësor, për të qenë e përgatitur për pandemitë e ardhshme

schedule19:41 - 7 Prill, 2021

schedule 19:41 - 7 Prill, 2021

Nga Lawrence O.Gostin, Eric A.Friedman &Lauren Dueck, Foreign Policy

Pandemia e Covid-19 ka nxjerrë në pah mangësitë shkatërruese dhe vdekjeprurëse që ka bashkëpunimi dhe qeverisja aktuale globale shëndetësore. Kjo ka bërë që 25 udhëheqës botërorë të bëjnë thirrje për hartimin dhe nënshkrimin e një traktati të ri shëndetësor. Rregullorja Ndërkombëtare e Shëndetit (IHR), është traktati aktual global i shëndetit në botë. Por kjo rregullore dështoi që nga fillimi i pandemisë. Mungesa e transparencës së Kinës gjatë epidemisë së SARS-it në vitet 2002-2003, solli ndryshime të mëdha tek IHR në vitin 2005.

Por në rastin e pandemisë aktuale, Kina e fshehu sërish për disa javë ekzistencën e virusit. Qeveria kineze e mohoi faktin që ai ishte në gjendje të transmetohej nga një njeri tek tjetri, pavarësisht përhapjes së gjerë në komunitet. Organizata Botërore e Shëndetësisë, mbeti e pafuqishme për t’i kërkuar transparencë dhe llogaridhënie, dhe kjo për shkak se OBSH-së i mungonin mjetet për të konfirmuar në mënyrë të pavarur të dhënat apo për të vepruar në një vend pa lejen e tij.

Por si duhet të jetë një traktat efektiv dhe i fuqishëm? OBSH dhe Këshilli Evropian folën javën e shkuar mbi nevojën e ndërtimit të një sistemi alarmi të shpejtë dhe të verifikueshëm të ndarjes së të dhënave, transparencës, përmirësimit të zinxhirëve të furnizimit për vaksinat dhe terapitë, për barazinë në shpërndarjen e pajisjeve mbrojtëse personale, si dhe për kundërmasat mjekësore.

Por traktati duhet të përfshijë shumë më tepër sesa kaq. Së pari OBSH ka nevoje të ketë fuqinë të verifikojë në mënyrë të pavarur raportet zyrtare të shteteve. Dhe ajo duhet të jetë e sinqertë në të ardhmen në njoftimin e botës kur vendet nuk veprojnë me përgjegjësi dhe transparencë.

Nuk ka asnjë zgjidhje të përsosur, por një model mund të jetë lloji i regjimit të inspektimit dhe njoftimit që ekziston aktualisht në fushën e armëve bërthamore. Për shembull, përmes traktateve kimike dhe bërthamore, agjencitë e pavarura mund të çojnë shkencëtarë të pavarur që të inspektojnë një uzinë të caktuar.

Një regjim i tillë mbikëqyrës është më se i nevojshëm për të hetuar patogjenë të rinj dhe të rrezikshëm. Kjo nuk do të garantojë me siguri që një shtet i cili që ka diçka për të fshehur,të mos përdorë dot aftësinë e tij për të kontrolluar se kush hyn në territorin e tij për inspektime.

Por sigurisht që kjo do të shtojë rreziqet e një ngurrimi të tillë, dhe do të zgjerojë aprovimin e nevojshëm global për të ushtruar më shumë presion mbi vendet anëtare që nuk po veprojnë në përputhje me traktatin.

Që të jemi realistë, me një vend si Kina që këmbëngul në sovranitetin e saj, do të jetë gjithmonë e vështirë që të bihet dakord mbi ndonjë gjë. Në fillim të pandemisë, shumë vende rivalizuan mes tyre për të blerë pajisjet mjekësore që shpëtuan jetë të tilla si:teste, pajisje mbrojtëse personale dhe ventilatorë.

Sot ato po rivalizojnë për të blerë sa më shumë dhe sa më shpejt vaksinat anti-Covid. Bota ka nevojë për një sistem që të shtojë furnizimet mjekësore që shpëtojnë jetë njerëzish, dhe ta bëjë atë në mënyrë të barabartë.

Prandaj, vendet duhet të punojnë së bashku për të zgjeruar kapacitetet dhe për të siguruar zinxhirë më të efektshëm të furnizimit, dhe transferimin e teknologjisë në mënyrë që vendet e ndryshme të prodhojnë vetë burime mjekësore, dhe pezullimin e pronësisë intelektuale, që mban sekret informacione jetike.

Situata të rënda si kjo që po kalojmë prej 1 viti kërkojnë ndarje të hapur të informacionit shkencor, ekzemplarëve të virusit dhe të dhënave të renditjes gjenomike. Herën tjetër që do të ketë një shpërthim të rrezikshëm epidemik, bashkëpunimi global duhet që të zëvendësojë konkurrencën e çmimeve.

IHR kërkon që çdo vend të zhvillojë “kapacitetet kryesore të sistemit shëndetësor”, por shumë pak vende e kanë bërë këtë gjë. Sistemet shëndetësore kërkojnë laboratorë, mbikëqyrje (përfshirë atë gjenomike për të studiuar mutacionet virale), sisteme të dhënash dhe punonjës shëndetësorë.

Ndërkohë IHR u kërkojnë vendeve të pasura të sigurojnë fonde dhe asistencë teknike për kapacitetet e sistemit shëndetësor. Sërish askush nuk e ka bërë këtë. Shtetet e Bashkuara patën idenë më të mirë përmes Axhendës Globale të Sigurisë Shëndetësore gjatë administratës Obama, por financimi mbetet jo në nivelet e duhura.

Traktati post-pandemik, duhet që të përcaktojë kërkesa specifike për financim, si investimet e brendshme për gatishmërinë ndaj pandemisë, ashtu si edhe ndihmën ekonomike dhe teknike ndërkombëtare. Ose Asambleja Botërore e Shëndetësisë mund të rrisë vlerësimet e detyrueshme të vendeve anëtare për anëtarësimin në OBSH, me synim ndërtimin e kapaciteteve kryesore të sistemit shëndetësor.

Nxitësit e një traktati të ri, e vënë theksin tek nevoja për një qasje “Një shëndet”, të bazuar tek lidhjet e ngushta midis shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Raporti mbi origjinën e SARS-CoV-2, rendit si një shkak të mundshëm kalimin natyror të virusit nga një kafshë tek një njeri.

Rreth 70 për qind e të gjitha sëmundjeve të reja fillojnë me një kalim të tillë zoonotik. Traktati mund të ndalojë përfundimisht shitjen ose trafikimin e kafshëve të egra, duke vendosur kufizime të rrepta në të ashtuquajturat“tregje të lagështa”.

Ai mund të përcaktojë norma të prera mbi administrimin e tokës dhe shpyllëzimin, dëme të cilat po i vendosin në një kontakt gjithnjë e më të ngushtë kafshët dhe njerëzit. Është e vërtetë që këto masa mund të jenë të vështira në aspektin politik në vende si Brazili dhe Kina.

Por një ndryshim i tillë i guximshëm është i mundur, dhe veçanërisht pas një pandemie kaq shkatërruese. Ka një konsensus të madh global për mbrojtjen e pyjeve të Amazonës. Duke reaguar ndaj Covid-19 vitin e kaluar, Kina e ndaloi tregtinë dhe konsumimin e kafshëve të egra.

Ndërkohë,traktati mund të sigurojë fonde, për t’i ndihmuar komunitetet të kalojnë në burime të tjera proteinike, por ​​edhe qeveritë që të luftojnë kundër shpyllëzimeve të paligjshme, si ato që synojnë lëndën drusore apo ndërtimin e fermave reja.

Traktati duhet të adresojë edhe problemin e rezistencës anti-mikrobiale, duke përfshirë përdorimin e tepruar dhe keqpërdorimin e antibiotikëve tek njerëzit dhe kafshët, që sipas OBSH-së është 1 nga 10 kërcënimet kryesore shëndetësore globale.

Traktati mund të kërkojë gjithashtu një institucion që mund të marrë në konsideratë vendosjen e sanksioneve, si ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve për zyrtarët qeveritarë që abuzojnë me çështjet e shëndetit publik. Gjithashtu, mund të ngrihet

një agjenci e pavarur për të kryer hetime të ndryshme, nga origjina e shpërthimeve epidemike, tek imponimi i transparencës dhe ndarjes së të dhënave.

Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk e nënshkruan letrën e përbashkët që bën thirrje për një traktat të ri mbi shëndetin global. Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësimin se negociatat mbi këtë dokument mund të devijojnë burimet dhe vëmendjen nga veprimet urgjente mbi gatishmërinë dhe përgjigjen.

OBSH është “shtëpia” më e mundshme e traktatit. Dhe kjo është logjike duke pasur parasysh rolin e saj si udhëheqëse globale e shëndetit. Organizata ka kompetenca të gjera kushtetuese për të negociuar konventat dhe rregulloret. Por ajo ka pak fuqi politike, dhe ne kemi parë vendet e fuqishme që ta manipulojnë atë gjatë gjithë pandemisë.

OKB është një rrugë tjetër e mundshme për këtë traktat. Një traktat post-pandemik mbi shëndetin global, mund të forcojë në mënyrë dramatike arkitekturën e gatishmërisë pandemike. Por ai duhet të ketë norma të forta dhe duhet të jetë në gjendje të imponohet. Në të kundërt,kur të mbërrijë pandemia tjetër – dhe kjo do të ndodhë – ka shumë të ngjarë që të dështojmë sërish. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!