Fitorja ishte tepër bindëse, por për pak u kthye në mort.
Çelsi e siguroi vendin në çerekfinale të Kupës së Botës për Klubet duke justifikuar parashikimet, ndonëse ndaj Benfikës gaboi aq shumë saqë rrezikoi eliminimin.
Fitorja 4-1 u arrit vetëm pas kohës shtesë, dhe kjo tregon edhe potencialin e madh të Bluve të Londrës, por edhe mungesën e përvojës dhe të ekuilibrit që ende ndihet në ekipin e tyre.
Me Armando Brojën jashtë organikës së trajnerit Mareska, ashtu si edhe 5-6 lojtarë të tjerë, skuadra angleze sërish pati thellësi.
Me lojtarë si Palmer, Fernandez, Neto, Kaisedo, Risi Xhejms apo Kukureja, plus ata që hynë më pas si Nkunku, Adarabiojo apo Çalobah, Çelsi pati epërsi dërrmuese në pjesën e parë, duke shpërdoruar pa fund.
Sidomos Palmer e Kukureja u ndalën disa herë nga portieri I Benfikës, Trubin.
Edhe kur shënuan pas pushimit, falë Risi Xhejmsit në 64’, sërish londinezët nuk e mbyllën dot diskutimin për kualifikimin.
Në rezultatin 1-0 sfida u ndërpre 6 minuta para fundit pas paralajmërimit për stuhi me shkarkime elektrike, dhe rifilloi pas gati 2 orësh.
Benfika shfrytëzoi fatin e saj deri në fund duke fituar penallti, që e ktheu në gol I përjetshmi Angel Di Maria në 95’.
Gjithsesi, në shtesë Çelsi u zgjua plotësisht dhe nuk lejoi më asnjë shaka.
Nkunku në 108’, Neto në 114’ dhe Djusbëri-Holl në 117’ vulosën shifrat 4-1 dhe triumfin e merituar.
Tashmë, në 5 korrik, Blutë e Londrës do të luajnë në çerekfinale ndaj rivalit brazilian, Palmeiras, në një duel klasik mes futbollit europian dhe atij të Amerikës Latine./abcnews.al


