Botërori i Atletikës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin fituesit e mëdhenj në këtë kompeticion

schedule15:01 - 28 Gusht, 2023

schedule 15:01 - 28 Gusht, 2023

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin fituesit e mëdhenj të Botërorit të Atletikës që u zhvillua në Budapest.

Triumfi në garën e stafetës për meshkuj 4 herë 400 metra i dhuroi ekipit amerikan medaljen e 12-të të artë në këtë kompeticion. Bashkë me 8 të argjendta dhe 9 bronzi SHBA numëron 29 medalje në total, duke lënë pas Kanadanë dhe Spanjën me nga 4 medalje ari.

Ekipi i dytë me më shumë medalje në total ishte Xhamajka me 12 të tilla.

Në ditën e fundit të Botërorit të Atletikës u regjistruan të tjera gara dhe rezultate të shkëlqyera, siç ishte ai i Jakob Ingerbrigsen që fitoi medaljen e artë në 5 mijë metra.

Atleti norvegjez bëri një finale spektakolare, duke lënë pas në finish spanjollin Mohamed Katir dhe kenianin Jakob Krop në vendin e tretë.

Spektakolar ishte fundi i garën së stafetës 4 herë 400 metra për femra, ku Holanda fitoi medaljen e artë.

Meritë për këtë kishte Femke Bol, që bëri një garë të shkëlqyer duke rikuperuar dhe kaluar në xhiron e fundit atleten xhamajkane Stejsi Uilliams për të shënuar kohën 3 minuta, 20 sekonda dhe 72 të qindat.

Në vendin e tretë u rendit skuadra e Britanisë së Madhe.

Edhe Ukraina mbylli Botërorin e Atketikës me medalje ari, falë paraqitjes së Jaroslava Mahuçik në kërcimin së larti. Atletia 22 vjeçare kërceu 2 metra dhe 1 centimetër, për të mundur rivalitetin e fortë të dy australianeve Paterson dhe Olislagers.

Në garën e 800 metrave për femra medaljen e artë e fitoi Meri Mora nga Kenia. Me kohën 1 minutë 56 sekonda e 3 të qindat, atletia kenianine nuk i la asnjë shans britanikes Hoxhkinson e dyta dhe amerikanes Mu, që u rendit në vendin e tretë.

Medalja e artë në maratonën për meshkuj shkoi për Viktor Kiplangat nga Uganda. Ai shënoi kohën 2 orë 8 minuta e 53 sekonda.

Në vendin e dytë u rendit Muru Teferi nga Izraeli dhe i treti Leul Gebreselasi nga Etiopia.  Nerazh Çopra i dhuroi Indisë medaljen e vetme të artë në Botërorin e Atletikës, duke triumfuar në hedhjen e shtizës.

Ai mori rezultatin më të mirë me 88 metra e 17 centimetra, duke lënë pa asnjë shans pakistanezin Nadim dhe çekun Vadlejç./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!