Bota përballë rrezikut të madh, sa e rëndë do të jetë kriza globale e ushqimit?

schedule10:48 - 30 Korrik, 2022

schedule 10:48 - 30 Korrik, 2022

Nga Chelsea Bruce-Lockhart & Emiko Terazono “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

A ka kaluar kulmi i çmimeve të larta të ushqimeve? Edhe përpara se të arrihej marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB-ja midis Kievit dhe Moskës për lejimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi, çmimet e produkteve ushqimore kishin rënë ndjeshëm.

Frika e një recesioni, të korrat e mëdha në Rusi, dhe shpresat për ringjalljen e flukseve të tregtisë së drithërave, kanë ndihmuar në rënien e tyre. Por kjo s’do të thotë se ka përfunduar kriza ushqimore. Madje analistët thonë se faktorët themelorë që i rritën çmimet mbeten të pandryshuar.

Lufta e vazhdueshme në Ukrainë, është vetëm një nga një mori problemesh, që mund ta mbajnë në norma të larta urinë në nivel global edhe për shumë vite në vijim. Konflikti në Ukrainë erdhi pikërisht në një kohë kur po rriteshin çmimet e ushqimeve, të nxitura një sërë faktorësh, kryesisht thatësirat që preknin vendet kryesore prodhuese, dhe nga zinxhirët e furnizimit që janë prekur si pasojë e efekteve të pandemisë.

Në vendet më të varfra, ekonomitë e të cilave kanë mbetur të shkatërruara nga bllokimet e Covid-19, lufta vetëm sa përkeqësoi një situatë tashmë të zymtë. “Ajo që e dallon këtë krizë globale ushqimore nga situatat e mëparshme të ngjashme, është se pas saj ka shumë shkaqe kryesore”-thotë Keri Fouler, i dërguara speciale e SHBA-së për sigurinë ushqimore.

Analistët thonë se ndikimi i vërtetë i këtij kombinimi faktorësh, do të bëhet i dukshëm vetëm vitin e ardhshëm. “Unë jam më i shqetësuar për vitin 2023 se sa për këtë vit”- thotë njëri prej tyre. S’ka dyshim se lufta ka qenë një pengesë e madhe në prodhimin global të ushqimit.

Në kushtet kur portet e Ukrainës janë të bllokuara, dhe kur kapacitetet në rrugët alternative janë të kufizuara, vëllimet e eksporteve kanë rënë ndjeshëm. Në qershor, Ukraina eksportoi më pak se 1 milion ton grurë, misër dhe elb, pra 40 për qind më pak se i njëjti muaj i vitit 2021, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë.

Të korrat e drithit në Ukrainës nisën këtë muaj, dhe kultivuesit po bëjnë çmos që ta ruajnë prodhimin e ri. Por nëse fermerët nuk mund t’i shesin drithërat e tyre, kjo do të ketë një efekt negativ në vitin 2023, pasi ata nuk do të kenë fonde për të paguar farat dhe plehrat për sezonin e ardhshëm.

Madje ata mund të mos kenë fare të korra, paralajmëron një zyrtar ndërkombëtar i politikës ushqimore. Çmimet e larta të produkteve në fundin e pranverës, mund të kenë nxitur një prodhim më të madh diki tjetër. Por kjo rritje do të zbehet nga rritja e kostove të inputeve për shumë fermerë, sidomos plehrat dhe nafta që përdoren për transport dhe pajisje bujqësore.

Zyrtarët e politikave ushqimore, paralajmërojnë se rritja e çmimeve të energjisë, që pritet të rritet më tej gjatë dimrit, e ka goditur rëndë prodhimin e plehrave azotike, një lëndë ushqyese kryesore e kulturave bujqësore. “Nëse nuk e zgjidhim problemin e inputeve bujqësore – veçanërisht plehrave – atëherë kriza e përballueshmërisë do të shndërrohet në një krizë disponueshmërie vitin e ardhshëm”- paralajmëron Arif Husain, krye-ekonomist në Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së, FAO.

Deri më sot, shqetësimi kryesor për ushqimin kanë qenë furnizimet me drithëra, veçanërisht gruri dhe vajrat bimore, eksportuesja  e madh e të cilave është Ukraina. Por disa analistë janë të shqetësuar edhe për çmimin e orizit, ushqimi bazë në dietën e gati të gjitha vendeve në Azi.

Për momentin, ka nivele të larta të rezervave në vendet kryesore prodhuese si India, Tajlanda dhe Vietnami. Por ka shqetësime në lidhje me kufizimet e eksportit, në rast se kostoja e lartë e grurit do të nxisë më shumë konsumatorë që t’i drejtohen orizit si zëvendësues.

Vetëm rreth 10 për qind e prodhimit të përgjithshëm global të drithit eksportohet, ndaj një kufizim nga çdo vend eksportues, mund të ketë një ndikim të madh në çmimet ndërkombëtare. Shumë kohë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, pasiguria ushqimore ishte në nivele rekord.

Për shkak të pandemisë, thatësirave dhe konflikteve të tjera rajonale, më shumë se 770 milionë vuanin nga uria në vitin 2021. Shifra më e lartë që nga viti 2006 sipas FAO-s. Kjo organizatë parashikon që lufta në Ukrainë ta rritë këtë vit deri në 13 milionë numrin e njerëzve të keq-ushqyer, dhe në 17 milionë të tjerë në vitin 2023.

Sipas Bankës Botërore, 1 për qind rritje e çmimeve e ushqimeve, zhyt 10 milionë njerëz të tjerë në varfëri ekstreme. Ndikimi i kësaj krize tek vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, që varen nga importet nga Ukraina dhe Rusia, ka qenë shumë i fortë.

Egjipti i është drejtuar FMN-së për ndihmë, inflacioni në Turqi është rritur në gati 80 për qind, ndërsa Banka Botërore e ka përshkruar krizën në Liban si një nga më të rëndat e 100 viteve të fundit. Edhe vendet që nuk blejnë nga Rusia apo Ukraina, por janë importuese të mëdha të produkteve bujqësore, po përballen me kosto më të larta të importit.

Çmimet e ushqimeve kryesore si buka, makaronat dhe vajrat e gatimit janë rritur më shpejt.

Një copë bukë në Bullgari kushtonte thuajse 50 për qind më shumë në qershor, se sa një vit më parë. Vaji në Spanjë është sot 2 herë më shtrenjtë nga një vit më parë, ndërsa sheqerit në Poloni është rritur me 40 për qind.

Afrika është veçanërisht e rrezikuar nga uria vitin e ardhshëm thotë Gilbert Houngbo, president i Fondit Ndërkombëtar të OKB-së për Zhvillimin e Bujqësisë. Dhe kjo nga ana tjetër mund të krijojë trazira sociale dhe migrim ekonomik në nivele të larta shton ai.

Rritja e çmimeve të ushqimeve në vitet 2007-2008 dhe 2010-2011, shkaktuan secila në trazira në mbarë botën. Po ashtu, çmimet e larta të ushqimeve ishin një faktor kyç në trazirat që shpërthyen kohët e fundit në Sri Lanka. Qeveritë e tjera të prekura më rëndë, ia kanë dalë deri më sot ta mbajnë nën kontroll situatën duke përdorur subvencionet.

“Por në një moment, presioni mund të jetë aq i fortë sa qeveritë nuk mund ta ofrojnë dot. Dhe në këtë moment gjërat mund të nisin të dalin jashtë kontrollit”- thotë Michael Pond, analist në Barclays. Por nga ana tjetër jo të gjithë mendojnë se kriza do të thelohet më tej.

Në fillim të këtij muaji, Morgan Stanley, publikoi një raport optimist mbi të ardhmen e çmimeve të ushqimeve. Sipas tij rritja e çmimeve në vitin 2023 do të jetë më e ulët nga sa pritej. Dhe kjo sepse rritja e prodhimit të drithërave nga fermerët, duke përfshirë Ukrainën me lehtësimin e tensioneve, do ta ulë inflacionin e ushqimit.

Ndërsa disa tregtarë ndërkombëtarë shpresojnë se rihapja e rrugës tregtare në Detin e Zi për drithërat ukrainas, mund të sinjalizojë fillimin e një “armëpushimi de facto”, ka ende shumë pasiguri mbi synimet e Rusisë. Pasi kjo e fundit po vazhdon të sulmojë zonat përreth porteve të Ukrainës.

Edhe nëse lufta përfundon që nesër, infrastruktura bujqësore dhe portuale e Ukrainës, do të kërkojë kohë që të rindërtohet. Nga ana tjetër duhet të çminohen ujërat jashtë vijës së saj bregdetare. Fermerët ukrainas mund të mos jenë në gjendje, ose të mos dëshirojnë të rikthehen për të punuar tokat e tyre.

Shumë zyrtarë dhe analistë perëndimorë, presin që kriza aktuale e ushqimit të zgjasë me vite, me luftën që vjen në krye të sfidave serioze si ndryshimet klimatike, pandemia dhe konfliktet e tjera. “Çdo njëri nga këta faktorëve që e ka nxitur rritjen e çmimeve të ushqimit, mund të vazhdojë të ekzistojë”-thotë Pond.

Ndaj ekonomistët paralajmërojnë, se konsumatorët mund të detyrohen të mësohen me çmime më të larta të ushqimeve. Capital Economics, parashikon që nivelet e çmimeve në treg do të mbeten të larta edhe për shkak të rritjes së paqëndrueshmërisë së motit. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!