“Bota e ndarë për mënyrën si dilet nga kjo luftë”, Rama: Terroristët kanë monumentet, por kurrë nuk duhet të kenë fitoret e tyre

schedule12:07 - 28 Shtator, 2024

schedule 12:07 - 28 Shtator, 2024

Rama: Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese, pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne, që të mos jemi të bashkuar për ta përcaktuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët.
Të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm të synosh diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke i njohur terroristët si palë legjitime që duhet zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur.

Ka një histori në librat e shenjtë. Njëherë, një luaneshë doli shëtitje me këlyshin e saj për t’i faktet e jetës së luanëve. Nëna tha: “Ne, luanët, jemi mbretërit e botës së kafshëve dhe mund të mposhtim çdo krijesë tjetër. Edhe qeniet njerëzore janë në mëshirën tonë. Kurrë nuk duhet të kesh frikë askënd”. Ndërsa vazhdonin shëtitjen, kaluan bri një monumenti që shfaqte Samsonin i cili shqyente një luan. “Nënë, – ia beh këlyshi i tronditur, – a nuk më the që ne mund të vëmë poshtë edhe njerëzit dhe që nuk duhet të kemi frikë kurrë?” “Po”, ia priti ajo, – dhe monumenti e provon këtë gjë. Nëse kjo do të ndodhte rëndom, nuk do t’i kishin ngritur monument!”

Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori… Por ata kurrë nuk duhet të kenë fitore të tyret kundër njerëzimit tonë të përbashkët.
Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojnë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë atyre që e quajnë Gazën një burg në qiell të hapur është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.

Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur demokratikisht e cila, në vend se të synonte me ngulm shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të vet përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thosha se Izraeli është krejt gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza, e kam të pamundur t’i jap edhe fijen më të hollë të mundësisë së besimit Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet. Në luftën e Hamasit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa në luftën e ISIS-it apo të nazizmit.

Për fat të keq, asnjë nuk e ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa ushtrimin e forcës dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka e tmerrshme që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.