Ndeshja e parë e madhe në Konferencën e Lindjes shkon për Boston. Celtics zgjedhin përballjen direkte kundër Philadelphia për të treguar forcën me fitoren 107-117, që i kthen ata në krye të renditjes. Edhe një herë, njeriu i suksesit ishte Jayson Tatum.
Ylli i Boston shënoi 29 pikë, kapi 8 topa në tabeë dhe dha 6 asist për shokët e skuadrës. Nuk ishte në një mbrëmje të mirë Joel Embiid. Megjithëse iu afrua tre shifrave dopjo me 20 pikë, 9 ribaund dhe 7 asist, ai nuk arriti të evitonte humbjen e “Sixers” që dorëzojnë edhe kreun në Konferencën e Lindjes.
I munguari i madh i mbrëmjes së fundit në NBA ishte Giannis Atentokoumpo. Por edhe pa “Greek Freak” të dëmtuar, Milwakee nuk u ndal përballë Toronto Raptors, duke fituar me rezultatin 112-128.
Lillard mori përsipër rolin e liderit për Bucks me 37 pikë dhe 13 asist. Nga ana tjetër, zhgënjyese ishte paraqitja e Raptors, përfshirë Siakam me vetëm 11 pikë.
Një tjetër mbrëmje të keqe kaluan Lakers. Skuadra nga Los Anxheles u mund në shtëpi 110-125 nga Sacramento në sfidën tjetër të madhe.
LeBron James nuk mjaftoi pavarësisht tre shifrave dopjo me 28 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 asist. Por “Lojtari i Ndeshjes” u shpall Sabonis, që me paraqitjen e tij spektakolare me 29 pikë, 17 ribaund dhe 7 asist vulosi triumfin e Kings.
Megjithëse i përdorur si “violinë e dytë”, kaq i mjafton Luka Doncic të lerë sërish shenjë në një tjetër fitore të Dallas. Mavericks kaluan transfertën ndaj Washington me suksesin 117-130. Për sllovenin 26 pikë, megjithëse luajti pak më shumë se gjysmën e ndeshjes. /abcnews.al