Gjatë kontrolleve të realizuara në 24 orët e fundit nga Policia Rrugore me radarë, dronë, mjete të paloguara, kamera, aparate fotografike e alkooltestues janë arrestuar gjashtë drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 3 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 3 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, me masë alkooli deri në 0.56 mg/l.
Po ashtu, njoftohet se janë pezulluar 34 leje drejtimi, nga të cilat 19 për shpejtësi mbi normat e lejuara, që varion nga 83 km/orë në qendrat e banuara deri në 172 km/orë në rrugën interurbane Tiranë-Durrës, 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 3 për qarkullim në sens të kundërt.
Në të gjithë vendin, policia ka ndëshkuar me gjobë 1554 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Kurse, Policia Rrugore e Elbasanit ka vënë në pranga E. V., 27 vjeç, banues në Cërrik, i cili pasi u kap duke xhiruar gomat dhe duke bërë manovra të rrezikshme me mjetin, i ka ofruar 5.000 lekë punonjësit të Policisë, për të shmangur gjobën. /abcnews.al/

